Nga Dashnor KOKONOZI

Nganjëherë kam përshtypjen se kur kthehem aty, nuk bëj gjë tjetër veçse vihem ne kërkim të një Tirane që nuk ekziston më. Që të ndihem më pak i huaj.
Këtë herë mezi njoha një ndërtesë që më kujtoi historinë e çunit të Bedrijes.

Aty sa pa rënë ende diktatura, kur vija këtu të merrja vajzën në kopsht (vila e Spiro Floqit, në rrugën e Dibrës), shihja të dilte nga një shkurre e oborrit një fëmijë i vogël që duke kërcyer pupthi në vend më thoshte:
– Ej, xhaxhi, unë nuk jam çuni i Bedrijes!
Bedrija ishte kuzhinierja e kopshtit të fëmijëve.
Siç kuptova më pas, në ato kohë të vështira e gjysmë urije, ajo e merrte fshehurazi të birin te kuzhina dhe si i jepte të hante shpejt e shpejt ndonjë pjatë gjellë, e nxirrte në oborr ku ai duhej ta priste deri sa ajo të mbaronte punën.
Mbi të gjitha e porosiste të mos i tregonte askujt se ishte çuni i Bedrijes.
Vogëlushi, i sigurtë se kishte gjetur mënyrën më të mirë për të mbrojtur mamanë e tij, nuk priste fare ta pyesnin. Sapo dikush hynte në oborrin e kopshtit, vraponte t’i dilte përpara dhe gjithë entuziazëm i thoshte : – Ej xhaxhi, unë nuk jam çuni i Bedrijes.

Me të marrë të qarët !