Doli nga shtypi libri “TË ÇMENDESH BUKUR KUR DHIMBJA MERR ZË

(Miftar Kurti: Intervistë (pa zë) me Poetin Sabit Idrizi)

Me këtë rast, autori i librit Miftar Kurti falëderon Sabit Idrizin për këtë mundësi, Profesor Agim Vincën (redaktor), recensuesit Adem Gashi dhe Gani Baliu.

***
VLERËSIME PËR LIBRIN

***

Dy miq, dy krijues, dy shokë bëjnë dialog. ‘Dialog (pa zë) me poetin Sabit Idrizi’, e ka quajtur miku dhe studiuesi i tij, Miftar Kurti. Fati deshi që Sabit Idrizi, pas një operacioni, ta humbte zërin. S’do mend se ai e vuan këtë fatkeqësi dhe nuk ngurron ta shprehë edhe në komunikim me miqtë e tij. Teksa i shqiptoj këto fjalë, më përfton një mendim paksa heretik: në këtë kohë gërvalljesh, kur gjithkush flet e askush s’dëgjon, nuk është ndonjë privilegj i madh të kesh zë. Sabit Idrizi ka sy e vesh, zemër e shpirt, nder e njerëzi dhe, mbi të gjitha, talent e dhunti.
Bashkëbisedimi mes dy miqve, poetit dhe studiuesit, rrok një spektër të gjerë temash “të vogla” e “të mëdha”: jeta, familja, vendlindja, atdheu, kombi, feja, lufta për lirinë e Kosovës dhe, doemos, edhe paudhësitë e pasluftës, që nxisin ndjenjën e zhgënjimit dhe të revoltës. Poet i dorës së parë, Sabit Idrizi është krijues me ndjeshmëri të hollë, mendim të thellë e shprehje subtile. E ka dëshmuar këtë me librat e tij. Në këtë libër-rrëfim del në pah mirëfilli edhe profili i një intelektuali me kulturë të gjerë dhe i një njeriu me karakter të fortë, stoik.
Me pyetjet e tij të mençura, fryt i kulturës së gjerë dhe i njohjes së thellë të jetës dhe veprës së bashkëbiseduesit, Miftar Kurti i ka dhënë mundësi Sabitit ta shpalosë jetën e vet, por edhe pikëpamjen për punën krijuese, pa të cilën nuk do të kishte kuptim jeta e tij.
I ndjeshëm për nga natyra, si çdo poet i vërtetë, Sabit Idrizi e vuan humbjen fizike të zërit, por falë dhuntisë së tij krijuese, arrin t’i japë zë dhimbjes njerëzore. E bën këtë si rrallëkush tjetër edhe në këtë libër, që lexohet me një frymë dhe grish për rilexim.


Agim Vinca

***

Libri i Miftar Kurtit mbase edhe mund të quhet monografi poetike, por bashkëbisedimi i tij (i pazëshëm) me Sabit Idrizin është në fakt portret e profil i Krijuesit dhe Njeriut. Përtej proverbave mund të thuhet se personazhi dhe autori kanë gjetur njëri-tjetrin. Modestia e një poeti të thellë si Sabiti, e pashoqe në lagjen e krijuesve, është përballur me këmbënguljen e një studiuesi të mprehtë si Miftari, duke na dhënë dramën e pashqiptuar të krijuesit, jo me deklarata triviale, por me jehonë ndjenjash e pasionesh; me dyndalla mendimesh e shqetësimesh. Unë i kam njohur të dy, unë i njoh të dy dhe mendoja se i njoh mirë, por asnjërin si në dritën e këtij libri.


Adem Gashi

***