Ryan Heath – Politico

Davos bie në gjumë sërish. Takimi i shumëpritur vjetor i Forumit Ekonomik Botëror, i planifikuar për t’u mbajtur në një resort në malet e Zvicrës, më 17-21 janar, është anuluar për të dytin vit radhazi, duke u zëvendësuar nga një seri diskutimesh online.

Shtyrja – për shkak të shfaqjes së Omicron – është e fundit në një seri përpjekjesh të dështuara nga WEF (Forumi Ekonomike Botëror) për t’u kthyer te takimet personale gjatë pandemisë Covid-19 dhe ushtron presion financiar mbi organizatën, me dhjetëra miliona dollarë të ardhura.

Në vitin 2020, konferenca e WEF-së në Davos tërhoqi më shumë se 100 miliarderë dhe 53 krerë shtetesh ose qeverish. Kompanitë – kryesisht nga SHBA-ja dhe Evropa – paguajnë rreth 50 000 dollarë për person për një “leje kalimi” të lakmuar për të hyrë në listën e të ftuarve.

Të ardhurat nga tarifat e eventeve të WEF ranë nga rreth 45 milionë dollarë në 2020 në zero në 2021. Tarifat e anëtarësimit dhe partneritetit variojnë nga 65 000 dollarë në 650 000 dollarë, “në varësi të nivelit të angazhimit”, për WEF.

Të ardhurat nga tarifa e anëtarësimit ranë 7.5 milionë dollarë në vitin 2021. Kompani të tilla si BT, gjigant evropian i telekomunikacionit, ndërprenë lidhjet. “Ne morëm vendimin për t’i dhënë fund partneritetit tonë me WEF në fillim të këtij viti,” thotë për POLITICO Richard Farnsworth, një zëdhënës i BT.

Bizneset lokale në Davos – qyteti me lartësinë më të madhe mbi nivelin e detit në Evropë – varen shumë nga fluksi i vizitorëve të pasur çdo janar. Ndërsa çdo kompani lejohet të ketë vetëm pesë pjesëmarrës në këtë event, shoqëruesit e drejtuesve të nivelit më të ulët, asistentët, shoferët dhe kuzhinierët mund ta çojnë në 100 numrin e anëtarëve të stafit që zbarkojnë në Davos.

Dyqanet dhe baret janë kthyer në pavijone dhe hapësira ekspozitash, ndërsa tarifa për një krevat marinari në një apartament është afër 1000 dollarë për natë. Për të mos folur për çmimet e hoteleve të mirëfillta.

Organizatorët shpresojnë ta shtyjnë konferencën e Davos 2022 në verën e vitit 2022, por një plan i ngjashëm për ta zhvendosur ngjarjen në njëfarë ishulli pa Covid dështoi në 2021.

Klaus Schëab, kryetar ekzekutiv i WEF, njoftoi me bujë në dhjetor 2020 se konferenca dimërore e Davosit do të zhvendosej në Singapor në maj 2021 si një mënyrë për t’i shpëtuar pandemisë. Ai plan më pas u shty deri në gusht 2021 dhe përfundimisht u anulua krejtësisht pas një rritjeje lokale të rasteve Covid-19.

Amanda Russo, zëdhënëse e WEF, minimizoi ndikimin e shtyrjes së konferencës 2022. “Takimi vjetor është vetëm një pikë kontakti krahas punës së përditshme të afro 20 platformave tona. Partnerët tanë nënshkruajnë si anëtarë për të punuar gjatë gjithë vitit,” tha Russo për POLITICO.

Pas shfaqjes së variantit Omicron në nëntor, WEF ia doli të ndalonte – deri në javën pas ngjarjes së planifikuar të janarit – një rregull të ri zviceran që kërkonte karantinë 10-ditore për vizitorët e huaj që do të kishte ndryshuar konferencën e Davos.

Qindra drejtues hidhen me parashutë në resortin malor zviceran çdo vit kur është koha e konferencës, shumë prej tyre mbërrijnë me avionë privatë dhe të tjerë rrinë vetëm 24 orë: një kohë e papajtueshme me karantinimin.

A tingëllon njësoj kristali në kur e dëgjojnë vetëm 100 njerëz?

Edhe me një pauzë të rregullave të karantinës, planifikuesit e eventit të Davosit ishin të tronditur javët e fundit nga një sërë kufizimesh lokale në ndryshim, përfshirë kufizime të ashpra në numrin e pjesëmarrësve në ngjarje private dhe shqetësime se eventi do të anulohej përfundimisht.

Mbështetësit e Davosit, duke përfshirë Wall Street Journal dhe CNBC, anuluan planet për pavionet e tyre të zakonshme dhe hapësirat e salloneve. Ndërkaq, kompani të tilla si JPMorgan pyetën veten nëse do të vazhdonin me pritjet e tyre në mbrëmje në galeritë e artit vendas, nëse ato hapësira duhej të qëndronin pothuajse bosh për të respektuar rregullat e Covid.

WEF u përpoq të siguronte palët e interesuara përmes emailit dhe platformës së saj ekskluzive sociale Toplink në fillim të dhjetorit se eventi do të vazhdonte. Megjithatë, të pranishmit e rregullt në Davos mbetën skeptikë se gjithçka do të shkonte siç ishte planifikuar.

WEF mbetet optimiste, për momentin.

“Shtyrja e takimit vjetor nuk do të pengojë përparimin përmes mbledhjeve të vazhdueshme dixhitale të liderëve nga biznesi, qeveria dhe shoqëria civile,” tha Schëab.

Ndërsa disa aspekte të punës së WEF-së vazhdojnë të zgjerohen – si p.sh. një program i matjeve të kapitalizmit të palëve të interesuara që është rritur duke përfshirë më shumë se 100 kompani – sfida tjetër për WEF është më praktike: ballafaqimi me ata që kërkojnë rimbursim për biletat e tyre.

Biletat e Davos-it janë “100 për qind të rimbursueshme deri në fillimin e takimit”, thotë një dokument të WEF, të cilit i referohet POLITICO. Por raportet e shpenzimeve të CEO-ve mund të kenë ngecur te suitat e hotelit dhe kutitë e pahapura të Cristal.