Shpërthimi i koronavirusit ka nisur në Kinë në tetor të vitit 2019, disa muaj para se Pekini të alarmonte botën, pretendojnë shkencëtarët amerikanë. Në këtë përfundim kanë dalë studiues nga universiteti Temple në Filadelfia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Studiuesit analizuan mijëra mostra të pacientëve me Covid-19. Ata gjurmuan se si Sars-Cov-2 evoluoi nga një gjenom “paraardhës”.

Sipas studimit të tyre, virusi ka shpërthyer në mesin e muajit tetor. “Të gjitha provat gjenetike e qartësojnë se ky virus ka dalë nga Kina. Edhe mënyra e përhapjes në të gjithë botën është gjithashtu në përputhje me viruset kineze që përhapin epidemi në vende të tjera”, tha Sergei Pond, një nga personat e përfshirë në studim.

Ky studim publikohet në një moment kur akuza të reja janë ngritur ndaj qeverisë kineze. Qindra faqe me informacione në internet për studimet e kryera nga laboratori i virologjisë në Wuhan janë fshirë, së bashku me të dhënat nga një virolog i rëndësishëm, i cili njihet me nofkën “Batwoman”, shkruan “The Sun”, që shkon më tej, duke e vlerësuar këtë si tentativë nga Kina për të penguar hetimin mbi origjinën e koronavirusit.

Ekipi i OBSH-së inspekton tregun e Wuhanit: Aty ku nisi gjithçka

Ndërkohë, ekipi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë nisi inspektimet në tregun e Wuhanit, ku u raportuan rastet e para me koronavirus.

Tregu është mbyllur që prej janarit të vitit të kaluar, ndërsa ekspertët e OBSH-së ndodhen aty për të zbuluar se si koronavirusi kaloi nga kafshët te njeriu. Zyrtarët janë ende në fazën e parë të hetimit, por kanë minimizuar pritshmëritë se mund të gjejnë burimin e virusit që ka vrarë mbi dy milionë persona në mbarë botën.

Kina ka raportuar 4636 të vdekur nga koronavirusi dhe ekonomia e saj tashmë ka nisur rikuperimin nga pandemia. Megjithatë ajo është kritikuar se ka minimizuar rrezikun e virusit dhe nuk ka dhënë informacione për rastet e para që u shfaqën në dhjetor të vitit 2019.