Kryedemokrati Lulzim Basha ka debatuar gjatë seancës plenare me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Replikat nisën kur kjo e fundit mohoi akuzat e Bashës se qeveria po fsheh numrin e vërtetë të viktimave nga pandemia. Ministrja e ka cilësuar avaz të vjetër, duke akuzuar opozitën se flet me kënaqësi për politikën e vdekjeve.

“E keni kthyer vdekjen në refren. Keni kohë tashmë 18 muaj që hiqni vallen e vdekjes. Nuk e kuptoj përse këmbëngulni me kaq kënaqësi në retorikën e vdekjes. Akuzat shterpë nuk mund të jenë fakte ashtu sikurse shifrat nuk mund të jenë opinione”, ka replikuar Manastirliu.

Pas kësaj deklarate, Basha është ngritur dhe ka kërkuar sërish fjalën në foltoren e Kuvendit. Ai i kërkoi kryeparlamentares Lindita Nikolla të mos marrë urdhëra, por të kryejë siç duhet detyrën e saj. Më pas vazhdoi me akuzat ndaj socialistëve, duke iu thënë se gjysma e tyre është për në SPAK.

“Unë e kuptoj të marrësh komanda dhe urdhra me buton por kjo nuk është asambleja e PS. Këtu është kuvendi dhe ka disa rregulla. Ajo nuk kishte asnjë të drejtë të çohej pasi askush nuk i përmendi emrin. Kuptohet se jeni të gjithë me regji qendrore. Është ajo regji qendrore që e mban peng këtë shtet dhe SPAK-un se ndryshe gjysma prej jush nuk do ishit këtu. Zbato procedurën, mos u bëj si Lenka Çuko. Mos u bëj si dispeçër“, tha Basha.

Kjo deklaratë ka shkaktuar reagim. Ishte deputeti Eduard Shalsi që i tha Bashës se “po ti për ku je”, por ka ndërhyrë kryeministri Edi Rama. Ky i fundit ngriti dorën, duke sinjalizuar socialistët të mos reagojnë.