Për herë të parë një zyrtar i lartë amerikan flet për ngritjen e frymës anti-amerikane në Shqipëri. Këtë shqetësim ai e ngriti pas pyetjes për përçarjen e opozitës, e cila ka nisur që nga shpallja non-grata të Sali Berishës dhe nisja e aksionit të tij politik brenda PD-së.

Grida Duma: A e dini nëse i është bërë ndonjë dëm opinionit publik shqiptar nga përçarja e opozitës? A ka rrezik për këtë?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Unë mendoj se ekziston rreziku që ka njerëz që po përdorin ndjenjat anti-amerikane për përfitime personale politike, dhe kjo nuk e ndihmon interesin tonë strategjik apo tuajin. Ndaj, do të isha shumë, shumë dyshues për këdo që vë në lëvizje ose u jep shtysë linjave anti-amerikane, sepse gjithçka që kemi bërë, veçanërisht në dy vitet e fundit, ka qenë për të thelluar marrëdhëniet strategjike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Dhe më duhet të them se Shqipëria zë një pozicion shumë të privilegjuar në politikën tonë të jashtme. Jemi konsultuar me ju dhe keni qenë pjesë e pothuajse çdo ngjarjeje globale për shkak të partneritetit tuaj me Shtetet e Bashkuara. Dhe ne jemi ndihmuar për të çuar përpara vlerat dhe synimet tona në Europë prej partneritetit tonë me Shqipërinë, jo vetëm në NATO apo Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe në mënyrë dypalëshe. Pra, do të thosha se kushdo që predikon çfarëdo lloj anti-amerikanizmi, në fakt nuk ka parasysh interesat e Shqipërisë.