Delegatët e pranishëm në kuvendin kombëtar të Partisë Demokratike tw thërritur nga Sali Berisha, votuan këtë të shtunë për të shkarkuar kryetarin Lulzim Basha.

Kanë votuar 4491 delegatë, prej të cilëve pro shkarkimit 4446. Kundër 36 dhe 9 delegatë e kanë nxjerrë të pavlefshme.

“Delegatë prezentë në momentin e çeljes së votimit kanë qenë 4934.

Pjesëmarrës në votim nga këta 4491 delegatë.

Nga këto 4491 delegatë, pro shkarkimit kanë votuar 4446 delegatë.

Kundër kanë votuar 36 delegatë dhe 9 delegatë e kanë nxjerrë fletën e pavlefshme”, tha Këlliçi.

Delegatët vendosën që të votojnë me votim të fshehtë shkarkimin e Bashës për thyerje të rënda të statutit të PD për marrje të kompetencave.

Ky vendim tashmë pritet që të ratifikohet me një referendum më datën 18 Dhjetor në të gjitha degët e PD.

Delegatët votuan po ashtu për shkarkimin e nënkryetarëve të PD-së, Sekretarit të Përgjithshëm dhe Kryesisë së Partisë.

Po ashtu u vendos krijimi i një komisioni të përkohshëm për rithemelimin që do të përbëhet nga 29 anëtarë. Ky komision do të ketë kompetenca deri në Kuvendin e 22 Marsit që do të votojë rishikimin e statutit dhe zgjedhjen e organeve të reja të Partisë Demokratike.

Ndërkohë, Lulzim Basha ka thirrur mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike. Mbledhja pritet që të mbahet në orën 18:00./tvklan.al