Ish-kryeministri Sali Berisha është shfaqur i entuziazmuar pas rezultatit të zgjedhjeve të Kuvendit të thirrur prej tij dhe “Foltores”, i cili me 4446 vota pro nga 4934 delegatë votoi për shkarkimit të Lulzim Bashës nga drejtimi i Partisë Demokratike.

Përpara kamerave, ish-drejtuesi i PD u shpreh se në këtë Kuvend u rivendos pluralizmi politik në Shqipëri dhe rithemelimi i Partisë Demokratike.

Berisha, gjithashtu i bëri thirrje Kryeministrit Edi Rama të heqë dorë nga përpjekjet për t’i garantuar mbijetesën Lulzim Bashës, të cilin e cilësoi një kufomë politike.

“Kjo ishte dita më e veçantë më e jashtëzakonshme në historinë e lirisë së shqiptarë. Ky Kuvend ishte vepër e anëtarëve të lirë të PD, i pari i këtij lloji në historinë e pluralizmit. Triumfi i lirisë që gufon nga idealet në zemrat e anëtarëve, është triumfi më madhështor nga të tjerët. Sot në 8 orë mbi 4934 delegatë firmosën, vendosën në këtë monument madhështor të rivendosjes së pluralizmit, të rithemelimit të PD si një forcë vigane opozita. Në këtë moment historik të revolucionit paqësore i cili është në misione të mëdha për përmbysjen e narkoshtetit, të së drejtës së shqiptarëve për votën e lirë, pa patronazhistë, opozitë kukull. Mirënjohje për ata që mbushën Foltoret dhe erdhën këtu sot si arkitektë të të ardhmes së PD dhe për gjithë shqiptarët. Më lejoni meqenëse ky është Kuvendi i parë që zhvillohet në një arenë sportive, nuk mund të largohem pa i çuar urimet kombëtares dhe tifozëve kuqezi të cilët unë i dua shumë pasi janë atdhetarë të vërtetë dhe iu them që në stadium u zhvillua ndeshja më e mahnitshme mes lirisë dhe të shkuarës. Rroftë liria. Peng Basha, nuk do doja të flisja për të, i rrethuar me batalionin e policisë së Ramës. Është një kufomë politike dhe asgjë më shumë”.

Pyetjes se kur do shkojë në selinë blu, Berisha tha se do të shkojë në momentin e parë që do të vendoset kështu.

Selia është vetëm një dhe vetëm një. Do shkojmë në momentin më të parë që do vendosim. Ajo nuk është seli e pengjeve e rrethuar me blindat e Ramës. Ramës i them hiq dorë nga çdo përpjekje për t’i garantuar mbijetesë pengut tënd”, u shpreh Berisha.

Ndërsa kur u pyet nga gazetarët nëse do të ketë protesta, apo rezistencë nga Basha, duket qeshur ish-Kryeministri tha: “Revolucionin s’i reziston dot kush, mos bëni shaka”.