Hajdutët kandidatë për krye bashkiakë po blejnë vota publikisht. Rrinë ditë e natë mes “tufave” të “deleve”, si barinj të mirë. Ky kujdes për delet është ngritur në nivelin më të lartë të shkencës për tjetërsim të vullnetit të sovranit, sa edhe prognozën e bën hipnozë. Akademia e barinjve nuk paska qenë një ‘shkarje ledhi’ i një ministreje, por investim antiamerikan për të kullotur “delet” nëpër djerrinat ku “ujku” vjen si në 12 të ditës, edhe në 12 të natës.

Secili bari ruan tufën e vet.

Delet bagëti janë, prandaj jo rrallë, sa bariu kthen kurrizin, vejnë kullosin tek tufa tjetër. Të gjitha delet në fakt, në këtë stinë fushate, po ushqehen mirë, po ju pastrojnë baltën e shtrojnë rrugën me asfalt deri tek “stalla”, po ju pastrojnë “rriqnat” e parfumosin leshrat.

Po huqet i kanë të ndryshme.

Tjetër trajtim duan ato të malit, tjetër të fushës. Edhe nga ngjyra ndryshojnë. Delet e zeza duken tufë e madhe, pasi kërcejnë si të çmendura nëpër ograja. Kanë marrë të trembur nga ambasadorja Yuri Kim që desh ju “vrau” bariun e tu a thajë zorrën. Edhe delet lara-lara nuk janë si ato të bardhat që ju shkëlqen leshi e lodrojnë sa në bjeshkët me male, kodrina e rudina, në fusha të gjëra me lule, e deri për mrizin buzë valëve të Adriatikut e Jonit.

Kërcejnë e tërbohen rreth bariut të tyre.

Se po, edhe delet e njohin bariun e vet. Këto të zezat me ato lara-lara janë bërë një tufë, kurse të bardhat, nga harlisja, janë tërbuar fare. Edhe “Ujku” i sulmon më shumë, se e kanë mishin me të shijshëm.

Një “egërsirë” e panjohur ka ardhur në fshatin tonë. Barinjtë, thonë se quhet SPAK dhe është racë amerikane që po të ra në tufë, nuk ka qen as qen bir qeni që i del përpara.

Delet e bardha janë më të rrezikuara.

Janë jo vetëm më të buta, por edhe më të bukura. Shumë nga kjo tufë ka pësuar firo këtë pranverë; disa i ka kullufit SPAK-u, disa janë bashkuar me ato të zezat. As vetë barinjtë, megjithëse akademikë, nuk e kanë të mundur t’i ndajnë secili të vetat. Sidomos në Elbasan, Durrës e Tiranë tufat janë çatrafiluar.

Gjithsesi jeta vazhdon…