Komiteti i Mbrojtjes Civile është mbledhur mbrëmjen e djeshme për të diskutuar mbi situatën e krijuar ditët e fundit nga zjarret në disa zona të vendit. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, e vlerësoi serioze gjendjen në gadishullin e Karaburunit, ku vatra ka marrë përmasa të rrezikshme, ndihmuar edhe nga era, e cila ndikon në përhapjen e flakëve.

“Vatra më serioze është ajo e Karaburunit. Kemi arritur të shmangim avancimin e zjarreve drejt bazës së Pashalimanit, dhjetëra efektivë të FA kanë punuar aty sot së bashku me forcat nga pushteti vendor, por shqetësimi i fundit të cilin e kemi diskutuar edhe në hartë së bashku me komandantin e Forcës Mbështetëse për Mbrojtjen Civile dhe me kolegë të tjerë dhe me Prefektin është shqetësimi i vatrës së zjarrit mbi Dukat sepse ne jemi akoma rreth dy kilometra larg parkut të Llogorasë, por ne duam të shmangim me çdo kusht shtrirjen e zjarrit në këtë park”.

Ministri i Mbrojtjes tha se është menaxhuar me sukses shmangia e prekjes së bazës së Pashalimanit, ndërsa po punohet për shuarjen e vatrës në malin e Dukatit, për të mos lejuar që flakët të kalojnë në Parkun e Llogorasë.

“Rreziku që ne duam të shmangim me çdo kusht është përhapja e zjarrit drejt Parkut të Llogorasë. Vatrat e tjera i kemi nën kontroll, kemi pasur një situatë jo të lehtë, flas për zjarret që po i afroheshin Bazës së Pashalimanit. Prefekti ka qenë në krye të punës, e falënderoj përsëri, së bashku me dhjetëra efektivë të FA për t’i fikur ato vatra dhe tani që flasim janë totalisht jashtë rrezikut. Pra, kemi pasur sukses në Fier, Ksamil, Përmet, kemi shmangur më të keqen dhe i kemi zgjidhur ato në kohë. Kemi pasur sukses gjithashtu në Mamurras, në orët e para të mëngjesit është fikur edhe atje një vatër e rrezikshme. Jemi përqendruar këtu! Kemi edhe 2-3 vatra të tjera në Shqipëri, por kjo është më seriozja”.

Në një kohë që i gjithë rajoni është përfshirë në një situatë të vështirë për shkak të temperaturave të larta, ministri i Mbrojtjes Peleshi tha se kjo vështirëson edhe ndihmën që Shqipëria mund të marrë nga partnerët e saj, por njoftoi se nga sot do të shtohen kapacitet për të vënë situatën në kontroll.

“Lajmi jo shumë i mirë është që nuk është se ka shumë kapacitete në dispozicion nga vendet fqinje, sepse janë përfshirë në emergjenca shumë më të rënda se tonat, kam parasysh Turqinë, Greqinë, Italinë, Kroacinë ku sot kam folur me Ministren e Mbrojtjes së Kroacisë para dy orësh, kam kërkuar mbështetjen me hidroplan, nuk kanë pasur mundësi të na përgjigjen menjëherë, por gjithsesi jemi në radhë për t’i përdorur sapo të lirohet një kapacitet. Do të përdorim edhe nesër gjatë ditës helikopterë nga operatorë të tjerë veç mjeteve që kemi ne në dispozicion dhe shpresojmë që gjatë ditës së nesërme besoj do të jenë tre helikopterë në përdorim deri pasditen e vonë, por nuk është se helikopterët janë zgjidhja përfundimtare. Së pari, që në orët e para të mëngjesit, komandanti bashkë me trupat e tij në 04:00 të mëngjesit do të niset drejt zonës së pyllit mbi Dukat, do të ecin 4-5 orë aty ku është vatra dhe për të parë se cilat metoda janë më të përshtatshme për t’u aplikuar për shmangien e përhapjes së zjarrit drejt Parkut të Llogorasë, që nuk duhet të lejohet me asnjë mënyrë”.

Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako kërkoi maksimizim të bashkëpunimit ndërinstitucional në këtë situatë. Ai informoi se aktualisht në vend janë 3 vatra zjarri efektive. Ai kërkoi nga policia të vendosen para përgjegjësisë personat, një pjesë e të cilëve janë identifikuar si autorë të zjarrvënieve. Dy vatra zjarri, një në Vaun e Dejës dhe një në fshatin Palokastër në qarkun e Gjirokastrës janë vënë nën kontroll. Ndërsa janë shuar vatrat në Fier, Ksamil, Mamurras e Përmet.