Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako ka folur nga pushimet për situatën e zjarreve në Shqipëri. Pasi kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu dhe Presidenti Ilir Meta kërkuan që Çako të kthehet në krye të detyrës, Çako ka vendosur që të prishë për pak çaste pushimet e tij në këtë fillim gushti, duke komentuar mbi situatën e zjarreve në Shqipëri.

Në një lidhje telefonike për “News24”, Çako deklaroi se situata më problematike paraqitet në Prefekturat e Vlorës, Fierit, Gjirokastrës dhe Beratit, ku më e ngarkuar situata vijon të jetë në Karaburun dhe fshatin e Dukatit. Sipas tij, të gjitha strukturat shtetërore e vendore janë angazhuar në terren për shuarjen e flakëve. Çako theksoi se në orën 21:00 të mbrëmjes së sotme do të mblidhet Komiteti i Mbrojtjes Civile për të bërë vlerësimin e situates.

“Pothuajse gjithë Ballkani është përfshirë nga temperatura shumë të larta, të ardhura nga Afrika, për shkak të rrymave, që kanë favorizuar ndezjen e zjarreve masive. Janë disa qarqe apo Prefektura edhe në Shqipëri që kanë pasur problematika të konsiderueshme, por ato që kanë dalluar ka qenë Prefektura e Vlorës, Fierit, Gjirokastrës dhe Beratit. Aktualisht situata më e ngarkuar është ajo e Vlorës, në pjesën e Karaburunit dhe fshatit Dukat. Janë të angazhuara të gjitha strukturat, si ato vendore, edhe ato të Policisë së Shtetit, të Forcave të Armatosura. Po punohet intensivisht me të gjitha strukturat. Është një punë e vështirë. Aktualisht në Shqipëri nuk ka pasur humbje jetësh apo probleme që rrezikojnë jetën,”- tha Çako.

Edhe vetë kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë, pas 12 ditësh situatën e rëndë të zjarreve, teksa në një status shkruante se Shqipëria nuk është vendi i vetëm që po përballet me flakët. Zjarret janë ende aktive dhe po përpijnë disa dhjetra hektarë pyje dhe kullota të gjelbra. Vlora është zgjuar edhe sot nën pushtetin e flakëve, ku pas mesnatës, mali i Tragjasit, në anë të ByPass-it të Vlorës është përfshirë nga zjarret. Djetra vatra të tjera janë aktive