Ministrja e Financave, Anila Denaj tha këtë të hënë se qeveria ka në diskutim një ligj të ri që synon të nxisë idetë inovatore. Teksa së bashku me kryeministrin Edi Rama prezantuan planin e pagave dhe taksave për 2021-2025-n, Denaj u shpreh se në mandatin e tretë qeveria synon që të vijojë të nxisë sipërmarrjen e të rinjve dhe të mbështesë emigrantët që dëshirojnë të investojnë në vendin tonë.

Për këta të fundit, ministrja tha se do të ketë një mbështetje prej 5 mijë eurosh në formë grati.

“Sot kemi në diskutim një ligj të ri të start up-eve në fushën e inovacionit me objektiv të qartë nxitjen e ideve inovatore dhe zero taksa për 2 vitet e para. Në programin tonë ekonomik në mandatin e tretë, vijojmë të nxisim sipërmarrjen e të rinjve. Fondi i mbështetjes për sipërmarrjet e reja start up do të pesëfishohet. Do të mbështesim emigrantët të cilët do të transferojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre në Shqipëri, përmes 5 mijë mbështetje në formë granti për çdo biznes të nisur nga një emigrant i kthyer.”