Në një deklaratë për media, Ina Zhupa ka nënvizuar se Edi Rama po u jep klientëve të tij pasuritë publike më një çmim shumë herë më të ulët se çmimi i tregut.

Demokratët i kanë bërë thirrje SPAK të hetojë menjëherë dhe të vërë para përgjegjësisë personat që po kryejnë këto afera korruptive.

“Me datë 19 maj 2021, njëlloj siç ka bërë gjatë keqqeverisjes së tij, Edi Rama ka vendosur të trajtojë si plaçkë personale një tjetër pasuri publike të shqiptarëve. Plot 55 mijë m2 tokë në bregdet, në zonën e Hamallajt, pa garë dhe pa asnjë transparencë, ka vendosur t’ia japë dy miqve të tij në një biznes korruptiv, shoqërisë “Sviluppo Mare 1” sh.p.k., me pronar Redi Pezën dhe “S&D Invest” sh.a., me pronar Gentjan Sulën.

55 mijë metra tokë shtetërore në bregdet i është dhënë dy oligarkëve të Edi Ramës, Redi Peza dhe Gentjan Sula, për 59 565 000 lekë.

Ndërkohë që Edi Rama ka përqendruar të gjithë ekonominë e vendit te 5 biznese korruptive pranë tij, mijëra biznese në Shqipëri kanë falimentuar apo janë në prag falimenti, nga taksat e rritura dhe nga rënia e konsumit”, tha mes të tjerash Zhupa.