Një përfaqësi e mjekëve specializantë, nga ambientet e Universitetit të Mjekësisë kërkuan takim urgjent me përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, pasi kjo e fundit vendosi të mos tërhiqet nga vendimi për ndërprerjen e kontratave të punës.

Në një deklaratë të unifikuar, ata e konsideruan si “pabesi” vendimin duke paralajmëruar për proces gjyqësor e protesta, ndërsa përfaqësues nga shoqëria civile akuzuan se veprime të tilla mund të zbrazin spitalet .

Për disa, ndërprerja e kontratës së punës do të thotë humbje e të ardhurave, ndërsa të tjerë e shohin si një sinjal që shtyn për t’u larguar nga vendi.

Ministria e Shëndetësisë, në një shkresë drejtuar Operatorëve të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor në qarqet Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe Shkodër, kërkoi shkëputjen e menjëhershme të kontratës së punës me 1 mijë specializantë, pjesa më e madhe të cilëve shërbyen gjatë periudhës së pandemisë Covid-19.