Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka bërë rekomandimet e tij për planin e klimës të paraqitur nga Shqipëria ku ndalet në një sërë aspektesh të lidhura me energjinë dhe emetimet duke i lënë një vend të veçantë edhe gazit.

Referuar një prej disa dhjetra rekomandimeve të bëra nga ky sekretariat për draftin që ka paraqitur qeveria shqiptare nënvizohet se duhet të merren në analizë elementë shtesë sa i takon futjes së gazit si lëndë për prodhimin e energjisë.

“Teksa gazi parashikohet që të luajë një rol në gjenerimin e energjisë vlerësime të rrezikut për të ardhmen dhe masa parandaluese dhe emergjence duhet të marrin parasysh lidhjen energji-gaz dhe rolin e gazit në përshtatjen e prodhimit dhe balancimit. Fusha të tjera ku siguria e gazit në furnizim mund të jetë e përshtatshme është industria ku lëndët djegëse rezervë dhe ndryshimi I lëndëve djegëse mund të konsiderohet në mënyrë që të sigurohet vijueshmëria e biznesit duke ndjekur një analizë kosto-përfitim. Në të njëjtën kohë duke marrë parasysh paraqitjen e një kuadri të ri ligjor në gazin natyror në vitin 2040 vetënm 10 vite para objektivave neturale për klimën paraqet një rrezik për bllokim të përpjekjeve.

Sekretariati vë re më tej se nuk janë bërë hapa të prekshme për të realizuar projektet që përcaktohen në Masterplanin e Gazit gjatë viteve të fundit përveç gazsjellësit Trans Adriatik. Sa i takon projekteve ndërkufitare si ALKOGAP si dhe IAP, planifikimi duhet të bazohet në kosnultime me tregjet përkatëse fqinje për të verifikuar nevojën për këto projekte në veçanti në rast të kërkesës së kufizuar për gaz nga infrastruktura të tilla në tregun shqiptar. Referenca për “Unazën e Gazit në Komunitetin e Energjisë” përmban një koncept që nuk është ndjekut prej të paktën 10 vitesh” thuhet në rekomandim. I njëjti nënvizon se nisja e planifikuar e operacioneve në TEC-in e Vlorës nuk është e qartë në draftin për klimën.

 

Depozita nëntokë për gazin e panevojshme

Një nga planet që qeveria shqiptare e ka lakuar shpesh është ajo për krijimin e një depozite gazi nëntokë dhe për këtë është marrë rasti i Dumresë. Teksa kjo në pamje të parë mund të jetë një element shtesë për sigurinë energjetike të vendit për Sekretariatin është një investim i panevojshëm që mund të rezultojë me bllokim të aseteve.

“Koncepti për të zhvilluar një depozitë nëntokë për mbajtjen e gazit duket se përfaqëson një nivel investimi të panevojshëm me një mundësi të lartë që të shkojë drejt bllokimit të aseteve. Shqipëria është e lidhur përmes gazjellësit TAP me tregun Italian çka përbën investime shtesë në infrastrukturën fizike për zgjerimin e sigurisë së furnizimit të Shqipërisë” thuhet në draft.

 

Plani për depozatat në Dumre

Qeveria shqiptare më herët ka bërë publik një document që është mbështetur me një grant nga EU Ipa II, Kuadri i Investimeve të Ballkanit Perëndimor për depozitat e Dumresë dhe zona e saktë ku do të vendoset depozita është në një zonë në lindje të fshatit Vlashuk, të njësisë bashkiake Kozare, Bashkisë Kuçovë në Qarkun e Beratit. Kjo zonë sipas raportit është pjesë e Dumresë, me depozitime kripore shkëmbore me shtresë shumë të trashë (formacioni kripor shkëmbor i Dumresë), ku do të zhvillohen kavernat nëntokësore.

Depozitat në vetvete do të përfshijnë pjesën kripore të poshtme si dhe impiante në pjesën e sipërme që do të sigurojnë funksionimin.

“DNG Dumrea do të përfshijë stacionin e gazit, stacionin e matjeve, nënstacionin elektrik, zonën e pusit VL-1, zonën e pusit VL-2, stacionin e pompave për marrjen e ujit, tubacionet mbledhëse të gazit dhe korridoret e ujërave të ëmbla dhe të kripura, si dhe rrugët lidhëse që të çojnë në stacionin e gazit dhe zonat e puseve” sqaron raporti.

Këto depozita do të kenë edhe një lidhje me TAP nga ku do të merret gazi që do të transmetohet në to.

“Lidhja e DNG Dumrea me infrastrukturën e transportit të gazit u mendua të ishte lidhja me TAP-in (drejtimi jugor). Pika e lidhjes së tubacionit lidhës të DNG Dumrea do të sigurohet në ABV30, që është struktura ekzistuese (stacioni i valvulave të bllokimit) në tubacionin e TAP-it në zonën e Dimalit(Ura Vajgurore, Kuçovë). Gjatësia e tubacionit lidhës do të jetë afërsisht 14.5 km” vlerëson dokumenti./N.Maho