Me ardhjen e vitit të ri 2022 Franca ka marrë kryesimin 6-mujor të Presidencës së Bashkimit Evropian.

Një prej propozimeve të Francës që është shpallur edhe më herët nga presidenti Macron është që të rritet sovraniteti strategjik i bllokut evropian, që do ta lejonte atë të vepronte më e pavarur nga Shtetet e Bashkuara kur është në interesin e BE-së.

“Unë do të thosha se ne duhet të kalojmë nga një Evropë me bashkëpunim brenda kufijve tanë në një Evropë më të fuqishme në botë, plotësisht sovrane, e lirë në zgjedhje të saj”, tha Macron në një fjalim në muajin dhjetor.

Franca po ashtu dëshiron që gjatë udhëheqjes së BE të rrisë koordinimin në mesin e shteteve anëtare mbi çështjen e migrimit, përfshirë edhe zhvillimin e një force që do t’i përgjigjej krizave në kufijtë e jashtëm të bllokut.

Ndër prioritetet e tjera përfshihet edhe rritja e pagës minimale në bllok, më shumë rregulla për gjigantët digjitalë, taksa për karbon, mbrojtja e mjedisit dhe ndryshime në rregullat e deficitit buxhetor të BE-së.