Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njofton se tashmë situata në aeroportin e Rinasit është duke u rikthyer në normalitet të plotë falë kthimit të kontrollorëve në Albcontrol.

Sipas Ballukut, plani i pengmarrjes dështoi ndërsa bëri thirrje që drejtësia të vijojë hetimet për zbardhjen deri në fund të kësaj ngjarje.

“Albcontrol në normalitet të plotë. Kontrollorët e kthyer në përgjigje të apelit tonë janë në krye të detyrës. Drejtësia të zbardhë deri në fund ngjarjen e rëndë. Plani i pengmarrjes dështoi”, shkruan Balluku.

Një pjesë e kontrollorëve të Albcontrol janë rikthyer në detyrë pas thirrjes së kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Transporteve Belinda Balluku.

Ndërkohë, janë larguar kontrollorët e huaj që mbërritën në vendin tonë një ditë më parë për të nisur pjesërisht punën.

Bëhet me dije se kontrollorët turq kanë qenë më së shumti në gatishmëri dhe ndihmë për fluturimet emergjente.

Pritet që brenda ditës të kthehen edhe kontrollorë të tjerë shqiptarë dhe paralelisht të largohet tërësisht stafi i huaj.