Prokuroria Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë detaje lidhur me hetimet që çuan në arrestimin e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.

Hetimi lidhet me ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit dhe SPAK ngre dyshime se Koka ka përfituar mbi 3.6 milionë euro nga dy kompanitë që fituan koncesionin dhe realizuan punimet.

Nga hetimet e SPAK ka rezultuar se për dhënien e koncesionit tek kompania “Albtek Energy” sh.p.k “nuk janë kryer të plota veprimet përgatitore”. Gjithashtu sipas hetimeve del se “nuk është zbatuar procedura e rregullt ligjore lidhur me llojin e procedurës që është përdorur për dhënien e konçensioni”.

SPAK thotë se “anëtarët e komisionit për dhënien e koncesionit në bashkëpunim me Lefter Kokën, në cilësinë e ish-ministrit të Mjedisit” kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, si dhe i kanë sjellë personit juridik “Albtek Energy” sh.p.k. përfitime materiale të padrejta”.

Ministri i Mjedisit në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, ka qenë personi përgjegjës për prokurimin e fondeve publike, ka qenë personi përgjegjës për organizimin dhe realizimin në përputhje me ligjin të procedurës së koncesionit.

SPAK thotë se nga provat krijohet bindja se nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. (shoqëria që ka përfituar konçensionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të konçensionit) janë pranuar fatura tatimore shitje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri tregtare, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare.

SPAK ngre dyshimin se librin e faturave tatimore të shitjeve të dy kompanive janë dy fatura me vlerë 2.95 milionë euro dhe 735 mijë euro që kanë shkuar në favor të Kokës “në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k. në zhvillimin e procedurës së dhënies së konçensionit”.

Ish-ministri i ka përfituar këto para “Albtek Energy” dhe “Integrated Technology Services”. përmes krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij.

Koka akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre ndërsa dy administratorët e kompanive private, Stela Gugalli dhe Klodian Zoto për korruptimin e funksionarëve të lartë shtetëror dhe pastrim parash. SPAK përveç këtyre tre personave ka në hetim dhe disa persona të tjerë.