Ky është Indrit Sadedini, 34-vjeçari që mbeti i plagosur rëndë nga një atentat me eksploziv pasditen e së dielës në Vlorë. Sipas policisë, shpërthimi ndodhi në lagjen “10 Korriku” pranë pallatit ku banon 34-vjeçari.

34-vjeçari ka parkuar makinën e tij të blinduar në garazhin e pallatit, ndërsa ka mbyllur qepenin dhe ka dalë. Në dalje të garazhi, para se të hynte në pallat, eksplozivi i vendosur në një qeskë plastike të zezë ka shpërthyer, çka lë të dyshohet se autorët kanë ndjekur çdo lëvizje të tij.

Nga shpërthimi 34-vjeçari ka dëmtuar rëndë këmbët dhe pas një ndërhyrjeje në spitalin e Vlorës është dërguar për mjekim të specializuar në spitalin e traumës.

Autoritetet dyshojnë se atentatori ka qenë jo më larg se 200 m larg vendit të ngjarjes, ndërsa eksplozivi dyshohet se ka qenë një mekanizëm me telekomandim.

Kjo nuk është hera e parë që ndaj Indrit Sadedinit organizohet një atentat, pasi 4 vjet me parë një sasi prej 500 gr tritol iu vendos në makinë. 34-vjeçari e konstatoi dhe eksplozivi u neutralizua nga një ekip xhenierësh. Fill pas ngjarjes ai kërkoi azil në Francë, por pa sukses.

Po në atë kohë Sadedini ishte edhe pronar i një lokali në zonën e “Ujit të Ftohtë”, në të cilin gjatë muajit prill 2017 u vra një person dhe u plagosën tre të tjerë. Për këtë ngjarje Sadedini u procedua në gjendje të lirë nga policia për moskallëzim krimi.