Tirana do të jetë qyteti mikpritës për takimin e radhës së Ballkanit të Hapur, që kësaj here veç Këshillit të Atlantikut do të përfshijë dhe Komisionin Europian.

Për dy ditë, të hënën dhe të martën e 20 dhe 21 Dhjetorit liderët e tre vendeve të përfshira në këtë proces, kryeministri Edi Rama, kryeministri maqedonas Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç do të zyrtarizojnë këtë iniciativë që synon lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbime dhe kapitaleve duke nënshkruar 5 marrëveshje.

Zaev dhe Vuçiç të shoqëruar nga disa ministra të tyre dhe krerët e dhomave të tregtisë së vendeve të tyre do mbërrijnë në Tiranë pasditen e të së hënës. Ditën e parë është parashikuar një darkë zyrtare në një resort në qytetin e Elbasanit, i njëjti ku u zhvillua mbledhja e dy qeverive Shqipëri-Kosovë, ku do jenë të pranishëm dhe një përfaqësues i Këshillit Atlantik Jim O’Brien si dhe Alex Soros, drejtuesi i fondacioni Shoqëri e Hapur. Të martën takimi do të nisë në orën 9 në pallatin e Brigadave.

Ekipeve të tre vendeve do t’i bashkohet dhe komisioneri për zgjerim Oliver Varhely online, si dhe drejtori i Ceftes Emir Djikic, si dhe Majlinda Bregu si Sekretarja e përgjithshme e Këshillit i Bashkëpunimit rajonal.

Marrëveshja e parë që do të nënshkruhet nga Rama, Vuçiç e Zaev është për kushtet për aksesin e lire në tregun e punës.

Marrëveshjet e tjera kanë të bëjnë me: skemat e përbashkëta për identifikimin elektronik të qytetarëve në pikat kufitare, për bashkëpunimin në fushën e sigurisë ushqimore, për njohjen e ndersjelltë për operatorët ekonomik.

Takimi i Tiranës mbyllet me konferencën e përbashkët për shtyp të tre liderëve. Në ditën e parë të këtij samiti një pjesë e opozitës shqiptare e drejtuar nga ish-kryeministri Berisha ka lajmëruar një proteste përpara kryeministrisë kundër nismës ‘Open Ballkan’.