Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), gjatë mbledhjes së sotme ka hedhur shortin për caktimin e relatorit për vlerësimin e kandidatëve për vendet vakante në Gjykatë Kushtetuese.

Shorti ka përcaktua se për kandidatët për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, do të jetë Vitore Tusha.

Për këtë vend vakant në garë janë Orkida Totojani, Altin Binaj, Aldona Sulaj, Eugen Papandile, Ardita Buna Alsula, Shaqir Hasanaj, Ilir Hasnedari, Klajdi Mone, Përparim Kalo dhe Aleksandër Toma.

Pas procedurave të verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve per vendin vakant, do të jetë Presidenti Ilir Meta që do të përzgjedhë një prej emrave.

Ndërkohë për vendin vakant tjetër, të shpallur nga Kuvendi, relatore është Saida Dollani. Për këtë vend vakant janë vetëm tre kandidatë Ardita Buna Alsula, Ardita Buna Alsula dhe Ilir Hasnedari.

KED bën të ditur se, do të kryhet një proces i rregullt ligjor, efektiv dhe të shpejtë, nëpërmjet kryerjes së një hetimi dhe verifikimi të thellë e të kujdesshëm për secilin nga kandidatët konkurrues për vendet vakante.

Gjykata Kushtetuese ka deri tani katër anëtarë nga nëntë gjithsej. Plotësimi i këtyre dy vendeve vakante do ta bënte këtë gjykatë funksionale ndaj edhe ka një apel të vazhdueshëm, sidomos nga ndërkombëtarët për përfundimin e procedurave sa më parë.