Zbardhen të tjera detaje nga atentati i regjistruar paraditen e kësaj të hëne në Fier, ku u qëllua për vdekje brenda makinës së tij Shkëlzen Kastratit.

Shkëlzen Kastrati, 42-vjeç, në makinën e tij Benz, kur një person ende i pa identifikuar i preu rrugën dhe e qëlloi me breshëri plumbash.

Ndërsa policia në një njoftim për mediat tha se autori u largua nga vendngjarja me një makinë “Range Rover”, i cili u gjet i djegur te vendi i quajtur “Mbikalimi i Baltzës”.

“Sot rreth orës 10:30, në vendin e quajtur “Ura e Sheqit”, një shtetas i paidentifikuar, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Sh. K., i cili ka qënë në automjetin tip “Benz”. Autori është larguar nga vendngjarja me një automjet tip “Range Rover”, i cili u gjet nga shërbimet i djegur te vendi i quajtur “Mbikalimi i Baltzës”. Nga ana e Policisë janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit”, tha policia në njoftimin e saj paraprak për mediat.

Viktima dyshohet të jetë vrarë për shkaqe që lidhen me hasmërinë.

Në vitin 2016 vëllai i viktimës, Kelmend Kastrati, mbeti i plagosur në një atentat me armë zjarri të ndodhur në kthesën e Mbrostarit. Asokohe, nga të shtënat, ndërroi jetë shoku i tij, Denis Kasa. Ngjarja erdhi si pasojë e një historie të gjatë hakmarrjeje mes fisit Kastrati dhe Binjaku.

Ndërkohë, me qëllim identifikim dhe kapjen e autorit, autoritetet policore kanë ngritur pika kontrolli autostradën Lushnje-Fier.