Papa Françesku dënoi dhunën në familje kundër grave si “pothuajse satanike”, në një prej fjalimeve të tij me gjuhën më të ashpër të përdorur për këtë çështje, sipas BBC.

Kreu i Kishës Katolike e bëri këtë deklaratë gjatë një programi të transmetuar të dielën në Tg5.

Ati i Shenjtë u ankua për numrin shumë shumë të lartë të grave, të cilat janë rrahur dhe dhunuar në shtëpitë e tyre.

“Problemi është se, për mua, është pothuajse satanike, sepse pësohet nga një person që nuk mund të mbrohet, i cili vetëm mund të përpiqet t’i përballojë goditjet. Është poshtëruese. Shumë poshtëruese”, theksoi ai.

Papa shtoi se gratë e dhunuara nuk e kanë humbur dinjitetin e tyre.

“Unë shoh dinjitet tek ty sepse po të mos kishe dinjitet nuk do të ishe këtu”, i tha ai Xhovanës, një grua e dhunuar.

Që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, papa Françesku ka bërë disa komente për abuzimin në familje.

Incidentet e abuzimit janë shtuar në një sërë vendesh, pasi shumë njerëz u bllokuan me agresorët e tyre gjatë bllokadës.

Sipas një raporti të OKB-së që mbulon 13 vende, gjysma e grave të anketuara thanë se kishin përjetuar një formë dhune që nga fillimi i pandemisë.

Në Itali, të dhënat e policisë të publikuara muajin e kaluar raportuan rreth 90 incidente të dhunës ndaj grave çdo ditë ku 62% e tyre ishin raste të abuzimit në familje.

Duke iu drejtuar Xhovanës, Papa Françesku pohoi se është e mundur të kemi ende shpresë, edhe gjatë pandemisë.

”Ju po jepni një shembull të rezistencës, një mësim për rezistencën ndaj fatkeqësive. Po ia dilni më mirë se më parë”, theksoi Papa.