Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të paraqesë këtë të martë (18 korrik) para Kongresit amerikan një raport për zhvillimet e deritanishme lidhur me çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Ai i ka dërguar një dokument Kongresit për zhvillimet dhe perspektivën deri më tani. Raportimi do të përmbajë kryesisht nevojën e zbatimit të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit mes dy vendeve, si dhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Asociacioni për Escobar, do të fuqizonte komunat me interesa të përbashkëta, gjuhë dhe kulturë për të koordinuar sfidat e përbashkëta në ofrimin e disa shërbimeve publike, duke përfshirë arsimin, kujdesin shëndetësor dhe zhvillimin ekonomik lokal.

“Më lejoni të filloj me marrëdhëniet e tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë. Në muajin shkurt dhe mars, BE-ja me mbështetjen e fortë të SHBA-së arriti një Marrëveshje përparimtare për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve dhe një aneks zbatimi që ofron një kornizë përmes së cilës të dy vendet përmbushin detyrimet e tyre të pavarura. Një element kyç është përmbushja e obligimit të Kosovës që nga viti 2013 për të themeluar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. AKS do të fuqizojë komunat me interesa të përbashkëta, gjuhë dhe kulturë për të koordinuar sfidat e përbashkëta në ofrimin e disa shërbimeve publike, duke përfshirë arsimin, kujdesin shëndetësor dhe zhvillimin ekonomik lokal. Për më tepër, Kosova dhe Serbia ranë dakord të njohin dokumentet dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës. Dhe, më e rëndësishmja, në këtë marrëveshje, Serbia nuk do të lobojë më kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Që kur palët arritën këto marrëveshje, ka pasur provokime serioze, tensione të përshkallëzuara dhe dhunë të papranueshme nga protestuesit serbë kundër KFOR-it, policisë dhe gazetarëve në veri të Kosovës. Si përgjigje, NATO vendosi elementë të forcave rezervë për të përforcuar misionin; ajo mban një qëndrim të zgjeruar në veri të Kosovës për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt në përputhje me mandatin e saj të OKB-së. Me BE-në, ne kemi bërë thirrje për de-përshkallëzim të menjëhershëm, për të përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve të reja komunale dhe për kryetar komunash në katër komuna në veri të Kosovës me pjesëmarrjen e serbëve etnikë dhe një rifokus në zbatimin e marrëveshjes së arritur në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Së bashku me partnerët tanë evropianë, ne mbetemi të angazhuar me Kosovën dhe Serbinë, duke u bërë thirrje të dyja palëve të përmbushin të gjitha detyrimet e tyre, të cilat janë thelbësore për përparimin e vazhdueshëm në të dyja rrugët e tyre evropiane”, thuhet në dokument.