Fjalori që Lulzim Basha përdor në fushatën e tij për të mundur tre rivalët e për t’u rizgjedhur vetë në krye të PD më 13 qershor, veç situatave komike, po prodhon edhe një çoroditje në fushë të leksikut të shqipes. Fjalori i Gjuhës Shqipe, jo që nuk të ndihmon dot, por të çorodit në këto raste. Më mirë, të mos e hapësh fare! Në fakt, ka kohë (para se të na shfaqej në skenën politike Lul Basha) që ca nga politikanët tanë kanë bërë që ta flakësh tutje e të mos i besosh më atij. Fjalori i këtyre 30 vjetëve ka pësuar transformime të qenësishme kuptimore tek shumë fjalë, sepse ka për autorë ca nga ata njerëz që i rrinë larg çdo norme dhe principi moral. Edhe me ndonjë që ende e konsideron politikën si “art i së ndershmes”, s’e kanë hiç për turp të zgërdhihen e ta përqeshin publikisht! Në fakt, për hir të së vërtetës, duhet thënë se Lul Basha nuk është i pari që fjalët “DINJITET” dhe “OTURAK” i bëri sinonime të njëra tjetrës. Mua më rezulton se i pari që i njësoi në kuptimin e shqipes politike këto dy falë është Bamir Topi. Madje, për këtë, d.m.th., për t’u bërë “OTURAK” i Sali Berishës në Presidencë, u blenë ca nga kundërshtarët politikë. Megjithëse kanë kaluar vite, shqiptarët e mbajnë mend shumë mirë, njërin nga të katërt deputetët socialistë që, nuk e pati fare për turp t’ia tregojë kamerave fletën e tij të votimit. Për mbi tre vjet e gjysmë, deri më 21 janar të 2011, ditën kur “oturak – përdoruesi” i tij Sali Berisha, e quajti “Horr i Bulevardit”, “oturaku dinjitoz” Bamir Topi “foli vetëm me heshtjen e tij(!!!)”…  Hajde shqipe, hajde! Presidenti flet me heshtje(!), Oturaku çirret se ka dinjitet!!! Katër shqiptarët e pushkatuar në Bulevard u futën në dhe, ndërsa, dy oturakët e Sali Berishës, njëri në Presidencë e “Lul – oturaku” tjetër në Ministrinë e Rendit të përgjakur!!!

Prandaj, fjalori sinonimik i shqiptarëve për fjalën “OTURAK” sot jep këtë shpjegim: “Bamir Topi, Bujar Nishani, Lulzim Basha – ca nga enët e rrumbullakëta në formë helmete që ka përdorur për të bërë në të nevojën në Presidencë, Ministri apo në PD, plaku i sëmurë Sali Berisha.”…

Për sa më sipër, përveç ndërgjegjes profesionale gjuhësore, nuk kam asnjë merak tjetër. Nuk merrem me oturakë, por me kuptimin e fjalëve. S’kam ndonjë gjë kundër Lulzim Bashës apo, aq më pak, nuk kam për qëllim të favorizoj tre rivalët e tij në “garën” e 13 qershorit. Dhe, meqë ra fjala për këta të tre, do t’u sugjeroja të mos lodheshin shumë! Le t’i ndihmojë kush të dojë, këtë herë betejën e kanë të humbur, se e kanë me antiamerikanin Sali Berisha dhe jo me “oturakun” e tij Lulzim Basha.

Kandidatëve Agron Shehaj dhe Fatbardh Kadilli (mbase edhe mikeshës së Argita Berishës, z. Edit Harxhi) do t’u këshilloja gjithashtu që këto ditë kur takohen me njerëz të thjeshtë apo ambasadorë të huaj, ta anashkalojnë përdorimin e fjalës dinjitet. Çdo qasje ndaj këtij nocioni, të paktën te shqiptarët, nuk u jep atyre rezultat. Fjalori e shpjegon dhe, kush di shqip e ka lexuar, se: “Dinjiteti i njeriut është nderi, krenaria e tij. Vlera që e bën atë të çmohet në shoqëri.”   .  Në bindjen e njerëzve, kush qëndron qoftë edhe për pak kohë pranë një krimineli (si kreu de fakto i PD Sali Berisha) është me dinjitet të cunguar. E thonë edhe librat e shenjtë: “Të pajtohesh me veprimin e një tjetri është si ta kesh bërë bashkë me të atë veprim. Kush bashkëpunon në gjëra të mbrapshta bën dy herë mëkat: E para, bën një ligësi dhe e dyta, s′pengon tjetrin në bërjen e saj.”

Prandaj, Agron Shehajt dhe Fatbardh Kadillit marr guximin t’i këshilloj: Nëse ju ka mbetur një fije dinjitet mos hyni në garë me oturakun e Sali Berishës këtë radhë! Lëreni Lulin të na bëjë revolucionin që premton. Të shohim pak komedi pas 13 qershorit se boll tragjedi kemi parë nga ai dhe përdoruesi i tij Sali Berisha. Ta rishohim edhe njëherë kur ta rrëzojë qeverinë socialiste. Lëreni ta dëgjojmë Lulin kur këndon “Himnin Kombëtar”, se e këndon bukur!  Lëreni Sali Berishën ta verë oturakun në kokë si helmetë këtë herë që të tremben amerikanët e mbase na kthejnë “sovranitetin”. Lëreni Lulin!, se,  togfjalëshi “helmetë dinjitoze” ka një farë kuptimi në shqip, por “oturak dinjitoz” nuk shkon gjëkundi.  Lërini plakut Sali Berisha oturakun! Le ta përdorë si të dojë! Le ta verë edhe në kokë si helmetë, se nuk u bë kiameti!…

Ilir Mborja