Nga Adriatik DOÇI

Ndoqa me interes një reagim të biznesmenit Gjergj Luca për gazetarin Gjergj Zefi. Të qëllimshme apo jo, por në qëndrimin e z. Luca, një bizmesmen popullor në ankth se mos i dalin të vërtetat që mund t’i prishin imazhin, ka disa pasaktësi.

Së pari, Gjergj Zefi nuk është nga Mirëdita, që është një zonë e nderuar, as nga Dukagjini, por është nga Shkodra, madje me origjinë nga Shkreli.

Së dyti, Gjergj Zefi nuk rri në Agli, por e ke gati çdo ditë te 15 kateshi, në mes të Tiranës. Dhe portalin e ka të regjistruar në Tiranë, jo në Angli. Me sa e njoh unë, nuk i fshihet kujt, vetëm kush i fshihet atij. Ndaj mos i hap punë kot ambasadorit anglez! E ke në Tiranë.

Së treti, është e vërtetë se ka shumë gjyqe, nuk e di numrin e saktë, ju z. Luca thoni 180, por nuk ka humbur asnjë deri më sot. Kjo verifikohet lehtësisht.

Së katërti, Gjergj Zefi nuk është nga ata gazetarë që hanë peshk dhe supë pa lekë tek ti, apo që mund t’u kesh ‘futur’ peshkun shtizë. Gjergj Zefi nuk ka ardhur anjëherë, as me lekë as pa lekë, për të ngrënë peshk në mencat e tua që ke ngritur mbi pronat e ushtrisë.

Së pesti, sa për gjoba, ju z. Lucë ndoshta jeni më i lehti, pasi e nxjerrë shpesh listën e gjatë të gazetarëve që i paguan dhe u jep supë. Nëse do, e publikoj unë listën, por nuk dua t’i vendos në siklet kolegët, disa nga të cilët duhen mirëkupruar. Nuk besoj që Gjergj Zefi apo edhe gazetarët e tjerë, të kanë vënë gjobë ty z. Luca. Nëse po, kallëzoi penalisht, me prova. Mos i ofendo gazetarët z. Luca, duke menduar se paraja t’a jep këtë tagër, pasi shumica kanë dinjitetin dhe emrin para një peshku shpatë apo një bakshishi mujor. Disa, po t’u japësh edhe buxhetin e shtetit, nuk përulen kurrë, më beso!

Së gjashti, kur ju z. Luca bënit biznes peshku apo bixhozi, Gjegj Zefi bënte burg për fjalën e lirë nga regjimi i parë i Sali Berishës.

Së shtati, z. Luca mos tento t’u bësh presion gazetarëve, siç tentove me mua para disa javësh, duke u thënë se u çon bodigardët, u mbush mishin me kripë etj. Sepse që kur të rrahu profesor Luçi, nuk të merr më kush seriozisht. Dhe nga ana tjetër, t’i u çon bodigardët e tu, por duhet të llogarisësh edhe se çfarë mund të të çojnë ata ty.

Z. Luca situata nuk është që t’i je në punën tënde dhe disa gazetarë shpirtzinj po shpifin nga smira për ty. Jo. Nuk je në punën tënde. Ke ngritur biznese në pronat publike. Dhe pronat publike nuk i ke marrë me ankand apo konkurrencë, por i ke marrë me klientelizëm dhe duke i bërë fresk Edi Ramës. Kjo është e vërteta që të djeg.

Ta themi të vërtetën e plotë. Ju mbani fjalime të bukura dhe interesante, edhe mua më pëlqejnë, bëni ironi me politikën dhe median, por e vërteta tjetër është se jeni edhe një hajdut me letra i pronave të ushtrisë. Po të ishte ashtu, po i marrim edhe ne ca prona publike, marrin një kredi dhe fap biznes. Por, nuk t’i jep kush.

Së fundmi z. Luca, kur të shkosh të hënën në SPAK, të lutem thuaj Altin Dumanit se si i more nga Edi Rama 105 mijë m2 prona dhe objekte në Labinot të Elbasanit me VKM Nr. 873, datë 30.10.2015 dhe Nr. 266, datë 29.03.2017, ish repartin ushtarak në Çekrez të Gramshit dhe 28 mijë m2 prona të ushtrisë me vkm nr. 526, datë 25.07.2019, ish-Parkun e Minierës së Hekur-Nikelit në Përrenjas me sipërfaqe 10 mijë m2, me vkm 701, datë 30.10.2019, Kombinatin e Sheqerit” sh.a., Maliq, me VKM nr.394, datë 09.06.2022 dhe ish repartin tjetër ushtarak të Gramshit me VKM Nr. 376, datë 21.06.2023. Trego të vërtetën nëse ke burrni se mbase të mbajnë më gjatë.

Edhe që ke bërë biznes me trafikantë droge, ku për rrjedhojë je subjekt i ligjit anti-mafia, është e vërtetë. Nëse do, i publikoj unë evidencat, emra, kompani, ortakëri dhe lidhje.