Nga Aristotel Spiro

Disa vite më parë, tek po prisja një shok pas Pallatit të Madh të Kulturës, m’u afrua një zonjë e re dhe më pyeti:

– A dini se ku niset autobusi për në Çiti Park?

– Për në Siti Park? – e korrigjova instiktivisht. – Atje tek cepi i rrugës.

Nuk jam nga ata normativistë maniakë, që mund t’u bjerë infarkti me të dëgjuar një shkelje të normës gjuhësore. Por shqiptimi i saj me  [ç] dhe jo me [s], siç e shqiptojnë thuajse të gjithë, më vuri në mendime. M’u duk si një përpjekje e saj për të vendosur një normë tjetër të modeluar mbi një matricë huazimi më familjare.

Po cila mund të ishte kjo matricë? Ç’gjuhë?

Cila përveç italishtes?

Italishtja në kohën e komunizmit ka qenë për shqiptarët çelësi magjik për të hapur portën e izolimit dhe për të marrë një shije nga era e Perëndimit: muzika e lehtë e sidomos hitparejdi, festivali i Sanremos ishin vetëm disa nga elementët kulturorë që binin në kontakt. Po, edhe filmat. Shumë filma, filma italianë dhe filma amerikanë, por gjithsesi të dubluar në italisht. Italishtja ishte bërë si gjuha e parë e huaj që mësonin të rinjtë. Mësime më së shumti autodidakte, të nxitura edhe nga fjalët e shumta italiane që kanë hyrë në shqipe, por edhe nga fonetika e përafërt me shqipen, që nuk i ndalnin para vështirësive të zgjedhimit të ndërlikuar të foljeve të italishtes.

Të mësuarit e italishtes krijoi një modë rinore dhe një modë intelektuale, kriteri ndarës i të cilave ishin pasuria e fjalorit dhe zotërimi i zgjedhimit të foljeve.

Italishtja arriti të mundte jo vetëm rusishten, që pavarësisht prishjes me Bashkimin Sovjetik, vazhdonte të mësohej nëpër shkolla, por edhe frëngjishten dhe anglishten.

E gjithë kjo situatë krijoi një lloj regjionalizmi kulturor, që e përthyente semiologjinë e kulturës botërore në spektrin gjuhësor të italishtes.

Nuk kishte rëndësi origjina e një personi historik: modeli italian ishte gati për t’i shërbyer shqipes. Ja Moxárti! Në Shqipëri është i njohur me trajtën italiane të emrit të tij. E nëse i thua shqiptarit për një Mócart, me siguri do të të shohë me mosbesim. E megjithatë Mócart është trajta e saktë e emrit të kompozitorit gjenial austriak.

Këto më kujtuan nja dy fjalë të tjera që shqiptarët janë mësuar t’i përdorin duke vënë në veprim matricën italiane: Europë dhe dixhital. Të dyja kanë lidhje me epokën paskomuniste.

Megjithëse «Drejtshkrimi i gjuhës shqipe» përcakton qartë se emri i kontinentit të vjetër do të shkruhet me V dhe jo me U, kjo e fundit u përdor si një armë gjuhësore për të hyrë në Evropë(!). Por kjo armë u duk se ishte e paefektshme, sepse vite shumë kaluan, por gjendemi ende jashtë Evropës. Personalisht jam i bindur se, nëse do ta thërrisnim Evropën me emrin që i kanë thirrur të parët dhe siç urdhëron edhe «Drejtshkrimi i gjuhës shqipe», Shqipëria do të ishte bërë prej kohësh vend i Bashkimit Evropian.

Ndryshimi i emrit të Evropës në «Europë» ishte edhe një shprehje e karakterit revizionist të diskutimeve mbi standardin, në vend që diskutimi të përfshinte problemet e shumta që lindnin nga hyrja e fjalëve të reja pas viteve ’90 të shekullit të kaluar.

Kështu, në vend që të merremi me problemet e reja që kanë lindur nga tronditjet e mëdha shoqërore në Shqipëri, me impaktin e tyre kulturor e gjuhësor (impakt – ja një fjalë që na paska «ndryshuar» jetën!), mbetemi në udhëkryq nëse do të vazhdojmë të përdorin ë-në në këtë apo atë fjalë.

Mirëpo kjo mënyrë revizioniste do të ndikonte për keq edhe qëndrimin ndaj fjalëve të reja. Një fjalë karakteristike që përdoret gjerësisht, por shpeshherë gabim, është fjala «digjital», e cila dëgjohet nga një masë e madhe njerëzish më shpesh si «dixhital».

Rregulli e do dhe respekti e dinjiteti i shqipes e kërkon që kjo fjalë të shqiptohet gj (digjital), ashtu si të gjitha fjalët e tjera me rrënjë latine e greke të lashta që përmbajnë g-në para e-së dhe i-së (§36g): agjenci, agjent, angjinë, antropologji, biologji, borgjez, dermatologji, dramaturgji, elegji, energjetikë, energji, filologji, gjenealogji, gjeneral, gjenerator, gjenetik, gjenezë, gjeometri, gjimnaz, gjinekolog, hegjemoni, heterogjen, hidrogjen, higjienë, homogjen, ideologji, kirurgji, legjendë, legjion, legjislacion, letargji, liturgji, logjikë, meteorologji, metodologji, mitologji, oksigjen, orgji, patologji, pedagogji, psikologji, regjent, regjim, regjistër, sugjestion, trilogji  etj.

«Drejtshkrimi i gjuhës shqipe» përmend edhe disa përjashtime nga ky rregull: inxhinier, inxhinieri, xhandar, xhandarmëri, xhenier, xhirim, xhiro, xhiroj, xhirues, xhaketë, xhelatinë, xhol, që sugjerojnë situata ligjërimore ku importuesit (administrata e shtetit të sapoformuar shqiptar dhe zanatçinjtë e thjeshtë) gjëja e fundit që kanë menduar ishte prejardhja latine e rrënjëve të këtyre fjalëve. Kanë parë përdorimin e «eksportuesve» të këtij qytetërimi, të shtetit italian dhe gjuhës italiane duke u bërë kështu shprehi shqiptimi me xh.

A po ndodh edhe me fjalën digjital e njëjta gjë? Kushtet kulturore, ekonomike, politike nuk janë më ato të para njëqind vjetëve, kur shteti shqiptar nuk kishte nga t’ia niste. Sot kemi një Akademi të Shkencave dhe rregulla të koduara drejtshkrimi, të cilave u nënshtrohen edhe fjalët që nuk përmbahen në «Fjalorin drejtshkrimor». Por me ortekun e huaj leksikor që vërshoi në shqipe gjatë 20-30 viteve të fundit të pluralizmit politik dhe me kontestimin e çdo gjëje të arritur në vitet e komunizmit, përfshirë edhe gjuhën letrare kombëtare shqipe / standardin, u krijua rreziku i një varianti të ri të Revolucioni Kulturor Proletar, ku çdo profan mund të bëjë propozimet e veta dhe të «pasurojë» sistemin semiologjik të shqipes me fjalë e shprehje e shprehi të zgjedhjes së vet.

Një element i këtij Revolucioni Kulturor «Proletar»  është edhe shqiptimi i fjalës si «dixhital». Në këtë shqiptim u bashkuan të gjithë, njohës e mosnjohës të zgjedhimit të foljeve të italishtes. Në ndonjë medie u mbështet ky shqiptim, gjoja me shqiptimin origjinal të fjalës dhe, meqenëse parimi i drejtshkrimit të shqipes qenka ai fonetik! – kjo është një çështje tjetër e kontestueshme për të cilën jemi shprehur e do të shprehemi përsëri – atëherë edhe fjala do të shkruhet e do të shqiptohet dixhital (!). Rëndësi ka që tani jemi të lirë dhe nga «kanoçja» kaluam tek modemi dhe nga mizat e ekranit bardhezi tek një pafundësi zgjedhjesh televizive.

Vetë këtë fjalë unë dhe bashkëmoshatarët e mi e kemi dëgjuar dhe përdorur në vitin 1981, atëherë kur pas mbarimit të shkollës së mesme kryenim stazhin në një ekspeditë sizmogravimetrike. Këtu, disa djem të rinj inxhinierë, të shkolluar në Francë, drejtonin kërkimet për naftë në Shqipëri. Nëpërmjet një aparati, që ata e quanin digital, regjistronin lëkundjet e provokuara me telekomandë. Atë aparat modern elektronik kështu e quanim të gjithë, digital: edhe ata djem që ishin shkolluar në Francë dhe që patjetër e kishin dëgjuar atje si dizhital, edhe ne që mësonim zgjedhimin e foljeve italiane.

Por dalldia e lirisë ligjërimore këtë na ka bërë: Që të rendim drejt Çity Parkut e të mbërthehemi e të ngatërrohemi nëpër kabllot e teknologjisë digjitale duke u bërë pjesë e një sallate të improvizuar dixhitale.

Dixhidjalli dixhital!