Anëtari serb i Presidencës së Bosnjë Hercegovinës, Milorad Dodik, ka reaguar pas sanksioneve të vendosura ndaj tij nga SHBA. Ai kërkon prova të korrupsionit për të cilin Uashingtoni e akuzon dhe shton se asnjë gjykatë nuk e ka dënuar, raporton gazeta boshnjake, Dnevni Avaz.

Dodik e cilësoi vendimin si sulm ndaj lirisë së shprehjes dhe fjalës së lirë. Ai tha se nuk e di pse u ndëshkua.

“Herën e parë më thanë se po e shkel Dejtonin, pa thënë se ku e kam shkelur Marrëveshjen e Paqes. Tani, siç dëgjoj, akuzohem edhe për korrupsion, por kundër meje nuk ka asnjë procedurë penale për korrupsion në Bosnje Hercegovinë dhe askund në botë”, tha Dodik.

Ai tha se nuk e ka rrezikuar rendin kushtetues të Bosnjës dhe stabilitetin e saj, ndonëse s’ka shumë kohë që nisi veprimet konkrete për kalimin e disa kompetencave shtetërore në nivel të Republika Srpskas, gjë që shpreh vendosmërinë e tij për shpërbërjen e Bosnjës.

Ai theksoi se nuk e vuri në pikëpyetje rendin kushtetues në BiH apo stabilitetin e tij dhe se mbetet e paqartë se çfarë kishin parasysh amerikanë kur vendosën ta ndëshkonin.

“Këto janë sanksione që u lobuan nga disa, të cilët nuk e ndajnë vizionin e Bosnjës siç e kam unë dhe siç është nënshkruar në vitin 1995. Nëse mendojnë se do të më mposhtin kështu, gabohen rëndë. Tani kam një motiv të ri për të luftuar”, tha Dodik.

“Unë nuk jam zgjedhur për të përfaqësuar amerikanët, por interesat e popullit të Republikës Srpskas. Përsakohë të jem i angazhuar politikisht këto çështje këtu do të jenë kështu si i mendoj unë”, u shpreh Dodik.

Departamenti Amerikan i Thesarit njoftoi sot zgjerimin e sanksioneve për vepra korruptive, për anëtarin serb të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik. Siç thuhet në njoftim, sanksionet janë vendosur edhe ndaj Televizionit ‘Alternativa’ nga Banja Lluka, që ndërlidhet me Dodikun.