Udhëheqja shtetërore serbe ka miratuar një dokument strategjik për zhvillimin afatgjatë të ushtrisë. Sipas revistës serbe Informer, kjo strategji  për herë të parë në dy dekadat e fundit përcakton drejtimet e zhvillimit të sistemit të mbrojtjes serbe.

Në dokument theksohet se “ushtria jonë duhet të jetë më e fortë se të gjitha forcat e tjera të armatosura të vendeve potencialisht armiqësore në rajon të marra së bashku”.

“Analizat tregojnë se tani jemi në rreth 65-70% të fuqisë në raport me forcat e armatosura të kombinuara të Kroacisë, Bosnjës, Shqipërisë dhe Kosovës. Megjithatë, kjo nuk është mjaftueshëm mirë. Strategjia e re synon ta sjellë ushtrinë serbe në të paktën 110% të fuqisë ushtarake krahasuar me këto 4 vende në vitet e ardhshme” – shkruan media që citon dokumentin.

“Vetëm nëse ushtria serbe është në gjendje të neutralizojë me vendosmëri dhe në mënyrë efektive kërcënimet e të gjitha vendeve potencialisht armiqësore në rajon, mund të themi se ekziston një garanci afatgjatë për paqen tonë dhe stabilitetin.

Vetëm nëse këto vende e dinë që një përplasje ushtarake me Serbinë do t’u shkaktonte humbje disproporcionale të mëdha, Serbia mund të planifikojë zhvillimin e saj shtetëror dhe shoqëror në planin afatgjatë.

Prandaj vlerësohet se është e nevojshme që ushtria serbe të arrijë 110% të fuqisë, në teknikë dhe në personel të këtyre 4 forcave të armatosura potencialisht armiqësore në rajon”, thuhet ndër të tjera në draft dokumentin strategjik, publikuar nga Informer.

Bie në sy që megjithë retorikën e Ballkanit të Hapur dhe fqinjësisë së mirë, dokumenti në fjalë zbulon se për projektet afatgjatë të Beogradit zyrtar, Shqipëria klasifikohet si “armik”, njëjtë me Kroacinë, Bosnjen dhe sigurisht Kosovën.