Drejtuesi i Policisë së Tiranës, në një prononcim për mediat, deklaroi se policia ndërhyri në selinë e Partisë Demokratike pas thirrjes për ndihmë nga drejtuesit e kësaj partie.

“Ndërhyrja u krye kur e vlerësuam se rrezikohej jeta e njerëzve. Pati kërkesa dhe telefonata nga drejtues të PD-së. Telefonatat janë të regjistruara të gjitha. Rrezikohej jeta e çdo qytetari dhe jo vetëm e deputetëve”, tha kreu i Policisë së Tiranës.

Ai shtoi se policia nuk do të ruajë godinën, por do të largohet pasi të kryejë të gjitha procedurat.

“Oborri dhe selia e Partisë Demokratike konsiderohet vendngjarje. Dhe Policia e Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës do kryejmë veprime procedurale në bazë të kodit të procedurës. Të gjithë ata që kanë përdorur akte dhune do mbajnë përgjegjësi para ligjit. Një punonjës policie dhe një qytetar për momentin janë të lënduar lehtë”, u shpreh Lorenc Panganika.

Ndërkohë, efektivë të policisë përdorën spraj kundër Sali Berishës dhe mbështetësve të tij, të cilët po përpiqeshin të ktheheshin në selinë e PD. Teksa po kalonin urën përballë katedrales së Shën Palit, një grup efektivësh i bllokuan rrugën dhe nuk i lejuan të kalonin.

Pas largimit të protestuesve dhe deputetëve të Partisë Demokratike nga selia, aty kanë mbërritur prokurorët e Prokurorisë së Tiranës. Grupin e kryeson kryeprokurorja e kryeqytetit, Elisabeta Imeraj.