Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Grida Duma, gjatë fjalës së saj në Kuvendin e 18 Dhjetorit është shprehur se ndjen keqardhje për shpalljen “non grata” të Sali Berishës. Megjithatë ajo shtoi se nuk ndodhet në atë kuvend për t’u bërë maska anti-zhgënjim e Lulzim Bashës. Ajo u shpreh se në mitingun e 11 Dhjetorit, kanë marrë pjesë demokratë që kanë dashur të largojnë Bashën nga drejtimi i partisë, prandaj e kanë parë Berishën si mjet dhe jo qëllim.

“Unë nuk mund të isha kurrsesi në një miting personal të Sali Berishës. Megjithatë ndjej keqardhje të madhe për damkosjen e tij me vulën e listës së zezë të SHBA, por demokrate dhe demokratë unë nuk jam këtu kurrsesi për t’u bërë maska anti-zhgënjim e Lulzim Bashës. Ishin pasojat e gabimeve tona dhe padyshim edhe kryetarit tonë që e çuan qindra demokratë në atë mitingun e 11 Dhjetorit të inatosur me gjendjen politike të familjes sonë. Kam qenë me sytë, me veshët hapur ndaj atyre demokratëve atje që nuk shtuan atje për të luftuar Amerikën bashkë me Sali Berishën, por disa ishin për të larguar kryetarin e partisë përmes një kryengritjeje tërësisht personale dhe thellësisht antiamerikane të Berishës. Sali Berisha ishte mjeti dhe jo qëllimi i tyre.  Ky është vitit 2021, jo 1914 dhe Shqipëria nuk mund dhe nuk do të kthehet 100 vjet mbrapa hipur mbi mushkën e marrëzisë Haxhi Qamiliste”, tha Duma.

Duma tha ndër të tjera se Sali Berisha nuk ia ka kërkuar Lulzim Bashës dorëheqjen deri kur iu shkelën interesat e veta. Por pavarësisht gjithçkaje, Duma tha se Basha është kryetari legjitim i PD-së.

“Lulzim Basha doli humbësi i vetëm tani kur Sali Berisha humbi fytyrën me listën non grata. Por do apo nuk do Sali Berisha ti je kryetari legjitim i Partisë Demokratike dhe mitingu i 11 Dhjetorit nuk e ndryshon këtë fakt”, tha Duma.

Nënkryetarja e PD-së iu drejtua drejtpërdrejt kryetarit të saj dhe i tha në sy që nga tani e tutje nuk do ta mbështesë më pa kushte. Ajo i bëri thirrje që të hapë sytë e veshët, e të shikojnë nga vetja për ta mundur Ramën me një model ku PD-ja është më e gjerë, më e hapur dhe më frymëzuese.

“Kryetar dua të ta them sot në sy të këtyre zonjave dhe zotërinjve, që mbështetja ime pa kushte për ty ka marrë fund, ashtu siç ka marrë fund edhe respekti im pa kushte për autoritetin moral të Sali Berishës në Partinë Demokratike. Kushti im për të mbështetur ty është të hapësh sytë  e veshët ndaj të gjithë atyre demokratëve që janë pasoja e gjallë e verbërisë sonë në këto vite. Kushti im për të mbështetur ty më tutje është që të lemë verbërinë 8-vjeçare të vetëm gjembave, masakrave dhe të shikojmë së pari nga vetja sepse duhet dhe mendoj që duhet të jeni ju që të na çoni në fitore përtej Edi Ramës. Kushti im për të të mbështetur ty më tutje është për të harruar se si ta mundim Edi Ramën me të njëjtin model bunkeri që ka ndërtuar ai me PS, me një PD të gjerë, të hapur, frymëzuese dhe me moral. Unë sot jam me Lulzim Bashën. Po nga sot Basha duhet të jetë me të gjithë demokratët pa përjashtim dhe vetëm me Sali Berishën jo. Të cilit, i them këtu sot dhe mund t’ia them në sy për mua jo vetëm ka humbur autoritetin moral mbi të djathtën zyrtare, por edhe për të drejtën për të qenë me gjasë më kritiku i saj. Duke vënë interesin e tij personal mbi interesin strategjik dhe PD është kthyer në një manipulator ndjenjash njerëzore të atyre që vetëm jetën nuk lanë pa e lënë gjatë 30 viteve. Boll! Për pleshtin e interesit të tij personal, nuk do ndjekim jorganin e vlerave esenciale të Partisë së madhe Demokratike”, tha Duma.

Deputetja demokrate u shpreh se vendimet e 11 Dhjetorit janë nul, por arsyet që i kanë çuar demokratët atje duhen marrë parasysh.