Ish kryeministri Sali Berisha ka rrëfyer nga ‘Foltorja’ e mbajtur sot në Tropojë se dy orë pasi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken e shpalli ‘non grata’ i ka dërguar një letër.

Në letër, sipas Berishës thuhej se kjo ishte vepër e lobimit George Soros dhe Edi Ramës, ndërsa shton se kishte mundësi që me miq të shumtë të kërkonte ndihmë për ta hequr atë vendim, por nuk preferoi të zgjedhë atë rrugë.

“Sekretari i Shtetit Antony Blinken njoftoi në Tëitterin e tij se më kishte shpallur non grata, unë pas dy orësh i bëra një letër, ku i them se kjo është një vepër e lobimit korruptiv të Xhorxh Soros dhe Edi Ramës, dhe i them ato fjalët, por ndërkohë mendova gjatë e gjatë me veten time, cilën rrugë do ndiqja. Kisha mundësi, kisha miq të shumtë, më shumë se kushdo tjetër, në të gjitha nivelet në dy partitë.

Të kërkoja ndihmën e tyre për ta heq atë vendim. Jo thashë nuk do ta bëj, nuk do ti kërkoj askujt mbi tokë ndihmë, për një gjë për të cilën kurrë nuk ka njeri që mund të gjej një fakt, provë apo dokument. Pse do kërkoj ndihmë?! Më cenon dinjitetin edhe unë do ta çoj në gjykatë shkëlqesinë e tij për shpifje. Kjo ma thjeshtoi skemën. Kjo është një betejë për dinjitetin, unë do ta bëja deri ditën e fundit të jetës sime, natyrisht me rrugë ligjore”, tha Berisha.