I kushtoi drejtimin e qeverisë kryeministrit Igor Matovic blerja e vaksinave ruse pa pritur aprovimin e agjencisë vendase, por furtuna nuk ka mbaruar.

Rusia i kërkoi Sllovakisë të kthejë qindra mijëra dozat e vaksinës Sputnik V, duke cituar shkelje të kontratës në një përshkallëzim të përplasjes mes dy vendeve. Më herët, Instituti Shtetëror për Kontrollin e Barnave në Sllovaki tha se dozat e mbërritura në vend ishin të ndryshme nga ato që ishin analizuar nga shkencëtarët ndërkombëtar dhe Agjencia Europiane e Barnave.

“Vaksinat e përdorura për studimet klinike të publikuara në revistën shkencore “The Lancet” nuk kanë të njëjtat karakteristika me dozat e mbërritura në Sllovaki. Sipas raportimeve, Sputnik po përdoret ne rreth 40 vende të botës, por këto vaksina lidhen vetëm nga emri. Nuk mund të provohet krahasueshmëria dhe konsistenca mes partive të ndryshme të prodhuara në vende të ndryshme”.

Fondi i investimeve në Rusi, përgjegjës për marketingun e vaksinës jashtë vendit, mohoi pretendimet duke i cilësuar si fake news. Ai i kërkoi qeverisë sllovake të dërgojë disa doza për testim në laboratorë të certifikuar nga Bashkimi Europian, e gjithashtu të kthejë mbrapsht në Rusi dërgesën kryesore. Për përfaqësuesit e Sputnik V, ky është një akt sabotazhi dhe një fushatë keqinformuese kundër vaksinës.

Sllovakia ka importuar 200 mijë doza të vaksinës Sputnik V muajin e kaluar, duke u bërë shteti i dytë anëtar i bllokut që ndërmerr një hap të tillë pavarësisht se drita jeshile nga EMA nuk ka ardhur akoma. Por edhe pse e ka aprovuar përdorimin terapeutik të vaksinës si një medikament i paregjistruar, vendi ende nuk ka nisur aplikimin e saj.