Një detyrë elektorale vë në rrezik serioz pjesëmarrjen e Marcelos në ndeshjen me Chelsea-n, gjysmëfinalja e kthimit në Ligën e Kampionëve. Mbrojtësit të Realit, brazilian por me nënshtetësi spanjolle, i ka rënë shorti për të qenë kontrollor në zgjedhjet e Asamblesë në Madrid.

Problemi është se këto zgjedhje janë parashikuar për më 4 maj, një ditë para ndeshjes kundër Chelsea-t në Londër. Dhe sipas protokolleve në fuqi për koronavirusin, vështirë se mund të udhëtosh ditën e ndeshjes. Një tjetër problem ky për trajnerin Zidane, që për mbrojtjen pret rikthimin e Mendy dhe Sergio Ramos.

Klubi dhe Marcelo janë në bisedime për të bindur këshillin elektoral që braziliani të udhëtojë bashkë me shokët e skuadrës ditën e martë, ditën e zgjedhjeve. Të gjitha kërkesat deri tani janë hedhur poshtë, por Reali nuk është dorëzuar. Në këto zgjedhje është angazhuar edhe Viktor Chust. Një koincidencë e rrallë: mes gjithë rezidentëve në Madrid poshtë moshës 70-vjeçare, shorti u ka rënë dy lojtarëve të Realit.