Nga Artur Meçollari*

Në fillim të vitit 2018 me urdhër të Kryeministrit dhe me plotfuqinë e dhënë nga Presidenti u ngrit  Grupi Negociator për Marrëveshjen Detare me Greqinë.  Grupi kishte 13 anëtarë nga të cilët 11 për shkak të funksioneve zyrtare që mbanin dhe dy si ekspert të fushës.  Sot, Grupi nuk është më funksional pasi shumë nga anëtarët kanë lëvizur nga funksionet e tyre, si dhe ka ndryshuar formula e negocimit për të cilin grupi kishte marrë plotfuqinë.

Grupi punoi dhe negocioi për një kohë jo shumë të gjatë, duke mbyllur punën pa hyrë në negocim mbi pozicionin e palëve. Puna e grupit ishte voluminoze, me debat të fortë profesional dhe me përgjegjshmëri të lartë. Grupi negociator është vlerësuar për punën e tij, ashtu sikurse ka patur edhe kritika.

Puna e Grupit Negociator 2018, nuk është e lehtë sot të vlerësohet, pasi nuk ka një produkt final të negociuar. Dhe është normale në këto rrethana të ketë subjektivizëm në vlerësim, pa paragjykuar qëllimin e vlerësimeve apo kritikave.

Vajtja në Gjykatën Ndërkombëtare ka qenë një kërkesë e shumë ekspertëve dhe nga pikëpamja proceduriale nuk ka asnjë problem ligjor.  Por, natyrisht rezultati do të lidhet me formulimet në Marrëveshjen e Veçantë dhe më pas me kapacitetet dhe aftësitë e argumentimit në gjykatën ndërkombëtare.

Natyrisht, një vendim i mundshëm i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të vlerësojë edhe punën e Grupit Negociator 2018, pasi ka patur parime të artikuluara në përputhje me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe pozicione të prezantuara të palëve. Ndoshta një vlerësim i parë mund të bëhet qysh me firmosjen e Marrëveshjes së Veçantë midis Shqipërisë dhe Greqisë për të shkuar së bashku në Hagë.

Ka dhe zyrtarë që sot pretendojnë mosekzistencën e këtij Grupit Negociator të vitit 2018, fakt i cili është në kundërshtim me të vërtetën dhe ndoshta bëhet për qëllime jo të mira. Sido që të ndodhë, një marrëveshje për delimitimin e hapësirave detare me Greqinë, e arritur me një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare, ose nëpërmjet një vendimi mbi mosdakordësitë, nuk do të krahasohet më me draft-marrëveshjen e vitit 2009, të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, por me pozicionet e palëve gjatë negociatave të vitit 2018.

Tashmë është e provuar dhe e pranuar  gjerësisht se çdo marrëveshje detare me Greqinë do të jetë më e mirë se ajo e vitit 2009.  Pyetja shtrohet: sa më e mirë do të jetë? Kjo duhet të jetë e qartë për grupin e ri negociator dhe shpresoj që puna e tij të jetë më e mirë se ajo e grupit tē vitit 2018.

*Autori është anëtar i Grupit Negociator 2018.

***

Shënim.  Në foto Grupi Negociator 2018 në Bazën Detare të Limionit, Sarandë, mbas një rikonjicioni në hapësirën detare të Kanalit të Korfuzit.