Edhe nëse nuk e tërhiqni gjatë muajit prill, shpërblimin e akorduar nga qeveria nuk do e humbisni. Pensionistët që nuk do të arrijnë dot të tërheqin brenda këtij muaji bonusin e akorduar në vlerën e 5 mijë lekëve, mund të rrinë të qetë, pasi këto të ardhura do të mund t’i marrin edhe gjatë muajve në vijim.

Autoritetet e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se çdo pensionist që është përfitues, ka afat deri në tre vite për të marrë këtë shpërblim. Ndarja e shpërblimit po vijon tashmë në të gjitha qendrat e pagesave të pensioneve (zyrat e postës dhe bankat e nivelit të dytë).

Sipas datës së marrjes së pensionit, të gjithë pensionistët po marrin edhe shpërblimin e akorduar nga qeveria në vlerën e 5,000 lekëve.

“Shpërblimet kalohen në llogaritë e pensionistëve në muajin prill dhe do të paguhen po gjatë këtij muaji. Në rastet kur pagesat efektive nuk kryhen brenda këtij muaji, ato do të paguhen gjatë vitit. Shpërblimet e patërhequra parashkruhen me kalimin e 36 muajve muajve nga data e miratimit të vendimit të dhënies së këtij shpërblimi, përcaktohet në vendimin e miratuar nga qeveria.

Mbështetjen financiare të menjëhershme në masën e 5 000 lekëve e marrin të gjithë personat, që përfitojnë pension pleqërie, pension invaliditeti, pension familjar dhe pension social, pension minatori, ata që trajtohen me pension shtetëror të posaçëm, përfituesit e trajtimeve të veçanta financiare që mbulon skema e sigurimeve shoqërore, personat, që përfitojnë pension për shkak të profesionit të vështirë, etj.