Kryeministri Edi Rama ka mbledhur në selinë e Partisë Socialiste 11 drejtuesit politikë në qarqe. Mbledhja mbërrin pas takimeve të para që këta drejtues kanë zhvilluar me bazat përkatëse dhe qytetarët në zonat ku janë caktuar.

Rama u ka kërkuar një rezyme dhe perceptim të shkurtër nga këto takime mbi sjelljen, jo vetëm të anëtarësisë, por edhe të elektoratit në tërësi në zonat përkatëse.

Pasi ka marrë këto raportime, Kryeministri u ka shpalosur edhe objektivat konkretë drejtuesve në qarqe, përfshirë edhe vetes, si drejtues në Qarkun e Durrësit. Ai ka kërkuar angazhimin maksimal për të siguruar më 25 qershor votat e mjaftueshme që do t’i japin Partisë Socialiste 74 mandate deputetësh dhe mandatin e tretë qeverisës.

Pra, synimi i socialistëve është që të ruajnë numrin e mandateve të vitit 2017, që me hapjen e listave të kandidatëve për deputetë mund të kërkojë edhe më pak se 764 mijë votat që PS mori në ato zgjedhje.

Vetë Kryeministri Rama nuk komentoi diskutimet në këtë takim, por një panoramë më të gjerë e ofroi, Sekretari i Përgjithshëm i Socialistëve, Taulant Balla. Balla tha se Kryeministri i është dorëzuar një raport me vlerësimet e qytetarëve për punën e Qeverisë.

“I kemi dorëzuar Kryeministrit një përmbledhje të vlerësimeve që burojnë nga qytetarët për cilësinë e shërbimeve publike, për përmirësimin e tyre. Kemi diskutuar dhe për krijimin e një kanali komunikimi virtual me anëtarësinë e partisë, për të vlerësuar performancën e çdo përfaqësuesi të PS”, tha Balla.

Balla mohoi zërat se caktimi i Lindita Nikollës në Lezhë në vend të Sandër Lleshajt ka lidhje me performancën e këtij të fundit.

Në lidhje me mbledhjen e Asamblesë së partisë, që përflitej se mund të mbahej këtë fundjavë, është bërë sërish shtyrja pa afat. Nga kjo Asamble do të dalë kryesia e re e PS-së dhe ndryshimet e mundshme në kabinetin qeveritar, ku përfliten disa emra që do të largohen. Ndërkohë, është vendosur gjithashtu edhe ristrukturimi i Forumit Rinor të partisë, me qëllim bërjen e tij më aktiv para zgjedhjeve të 25 prillit.