Në shkrimin e mëposhtëm të NYT, merret në shqyrtim roli që pikëzimi, si dhe pika fundore në veçanti, luajnë në bashkëbisedimin virtual midis njerëzve në ditët e sotme. Shkruesi gjykon se përdorimi i kujdesshëm i pikëzimit nga dikush – të shkruarit nga ana e tij me merak, duke vendosur pikë në fund të çdo fjalie – rrit mundësinë që bashkëbiseduesi të ndihet i përfshirë në një komunikim formal; madje, të përftojë një sjellje të ftohtë, të prerë, deri dhe sulmuese, në mos të ndihet sikur dikush, në heshtje, po e korrigjon. (Ngjan paksa me një nënë e cila, nëse ka për t’i thënë diçka qortuese birit/bijës së vet, ia thotë duke i përmendur emrin e plotë, pa shkurtesa përkëdhelëse.) Çka bën që përdorimi i pikës të gjykohet se i shkon më pështat një komunikimi zyrtar, mes kolegësh, eprorësh-varësish, e në përgjithësi mes të panjohurish.

Në rastin më të keq, kur pikësimi përdoret me përpikëri në një komunikim virtual mes miqsh, familjarësh, të njohurish etj., ai rrezikon të dëmtojë frymën e çlirët të një bashkëbisedimi të shtendosur; tipik ky i fundit për shkëmbimin e mesazheve jozyrtare.

Duket se pikësimi formal haset veçanërisht në një shkëmbim të shtrënguar mesazhesh, kur sado i gjatë të jetë mesazhi, ai shkruhet i tëri dhe vetëm pasi është përfunduar, dërgohet – jo siç ndodh rëndom, në komunikim joformal, kur trupi unik i një mesazhi zakonisht ndahet në fraza të ndryshme që ndjekin njëra-tjetrën. Në këto raste, vazhdon shkruesi, është vënë re se rolin e pikës së zhdukur tashmë e luan butoni që dërgon mesazhin (Return ⏎). Një zëvendësim i tillë, meqë përvoja thotë se çdo copë nga trupi i plotë i mesazhit përgjithësisht përputhet me një fjali të plotë, duket se e ka bërë të panevojshme pikën fundore.

Shkrimi i mëposhtëm, megjithëkëtë, duket se nuk merr parasysh evolucionin e një sjelljeje të tillë në komunikim virtual, pasojat e të çuarit të mëtejshëm të mospërdorimit të pikës, e të vetë faktit që prirja mund të përfshijë edhe elemente të tjera të pikësimit: jo rrallëherë vihet re se një zhdukje e pikëpyetjes, një përdorim konfuz i presjes, apo një përdorim i pavend, inflacionues, i pikëçuditëses. Pa folur pastaj për trepikëshin (…) e gjithështrirë, pikëpresjen e harruar dhe të tjera përçudnime të përdorimit të pikësimit në komunikim virtual.

Në të njëjtën kohë, përpos marrjes parasysh të këtij ndryshimi epokal, bëhet e nevojshme të mbahet edhe një qëndrim, të shprehet një gjykim vlere.

Është e vërtetë se njerëzit nuk shkruhen më mes tyre si më parë (në letra apo në komunikimin virtual primitiv, kur rrjetet sociale nuk kishin zëvendësuar ende email-in). Por, që mënyra sesi shkruhet, vetë gjuha e shkruar, merr gjithnjë e më tepër format e një gjuhe të folur (kur flasim nuk përdorim pikësim, por kur shkruajmë nuk kemi mënyrë tjetër për të shprehur intonacionin e zërit, nëse përjashtojmë emojit) – a nuk ka diçka për t’u shqetësuar në këtë mes?

Vlen të mos harrohet, paskëtaj, se copëzimi joformal i trupit të një mesazhi jo detyrimisht respekton gjatësinë e një fjalie. Kushdo nga ne, me pak fjalë, e ka në ditë një komunikim me dikë që pas një fjale (apo dy-tri të tilla) shtyp Return ⏎. Dhe shumëkush gjendet me një varg të pafund – e ta themi pa dert, të bezdisshem – mesazhesh që sa më shumë zgjaten aq më pak thonë.

Pra, rregulli i përputhjes së një pike fundore me një kutizë mesazhi nuk është as i artë, e aq më pak i hekurt.

Natyrisht pak mund të vlejë detyrimi i rregullave në këtë pjesë që ka të bëjë me komunikimin joformal. Dua të them, njerëzit nuk e përdorin ë-në edhe kur e kanë të pranishme në tastierë. Porse, dyshoj që tolerimi i mospërdorimit, edhe kur përdorimi është i mundshëm fare mirë, ka shkaktuar një dëmtim të mënyrës së përdorimit kur ë-ja bëhet e nevojshme. Në këto raste, bëhemi shkaktarë ose pjesëmarrës përdorimesh qesharake, ose pavend, të asaj shkronje (shpesh dhe nga frika se mos gjykohemi për mospërdorim, hapim krahun dhe e mbipërdorim).

E njëjta gjë vlen dhe për pikën.

 

_____

Ps: *Titulli i këtij shkrimi është vendosur nga Vala-News.