Kryetari i ekipit elektoral të Presidentit Trump tha se do të kërkojë rinumërimin e votave në Uiskonsin.

“Presidenti është brenda kufirit të lejueshëm për të kërkuar rinumërimin dhe do ta bëjmë këtë menjëherë. Ka patur njoftime për parregullsi në disa zona të shtetit që ngrenë dyshime serioze për vlefshmërinë e votave”, u shpreh zëdhënësi Bill Stepien.

“Demokratët po përpiqen të vjedhin zgjedhjet”, Trump po mbledh fonde për betejën ligjore

Skuadra e fushatës së presidentit Donald Trump ka filluar mbledhjen e fondeve një ditë pas zgjedhjeve për të nisur betejën ligjore kundër rezultatit të zgjedhjeve, pasi vetë presidenti ka hedhur dyshime mbi të me javë të tëra para ditës së zgjedhjeve.

Pjesëtarët e fushatës së Trump kanë nisur 6 emaile që prej mesnatës, duke kërkuar para. Në kërkesë është shkruar specifikisht që demokratët po përpiqen të “vjedhin” zgjedhjet. Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë dëshmi që në shtetet ku po zhvillohet beteja për votat e Kolegjit Zgjedhor të ketë parregullsi.