Ekspertiza ligjore zbardh shkakun e vdekjes së 32-vjeçarit Lear Kurti. Burime zyrtare nga mjekësia ligjore bëjnë me dije se i riu ka gëlltitur kokainë që i kanë shkaktuar vdekjen.

Në stomakun e të riut është gjetur një përmbajtje plastike, ku dyshohet se kishte lëndë narkotike, kokainë.

Dyshohet se qesen e kokainës ai e ka gëlltitur për të mos ia kapur policia.

“Më datë 19.10.2022, rreth orës 23:07, Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë kontrollit të territorit, kanë konstatuar në rrugën “Riza Cuka” një shtetas të cilit i kanë bërë thirrje për të ndaluar me qëllim për t’i kontrolluar dokumentat e identifikimit.

Sapo patrulla i kërkoi për të paraqitur dokumentat e identifikimit, Lear Kurti është larguar me vrap. Punonjësit e policisë janë vënë në ndjekje dhe kanë arritur ta ndalojnë në rrugën “Don Bosko”, duke kryer më pas edhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.

Gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shendetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit. Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë,” njoftoi sot Agjencia e Mbikqyrjes Policore.

Ndërkohë kryetari i PD-së, Sali Berisha hodhi akuza se i riu humbi jetën nga dhuna policore gjatë shoqërimit të tij në komisariatin nr 3.