Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Liz Truss, dha dorëheqjen nga posti, pas vetëm 45 ditësh në detyrë.

Ajo tha se nuk mund të vazhdonte në detyrë për shkak se nuk mund të zbatonte premtimet me të cilat u zgjodh në këtë detyrë nga partia e saj.

“Duke parë situatën”, tha në një fjalim përpara Downing Street, “kuptova që nuk mund të realizoja premtimet e mandatit tim. Kam lajmëruar mbretin, do të qëndroj në krye të qeverisë derisa të zgjidhet pasardhësi im”.

Mandati i saj i shkurtër u shënua nga largimi i beftë i dy ministrave dhe kriza e tregjeve financiare në vend.

Sipas mediave britanike, ajo mori këtë vendim për shkak se humbi besimin e thuajse të gjithë deputetëve të Partisë Konservatore, të cilët votuan dy muaj më parë për ta zgjedhur si pasuesen e Boris Johnson.

Bashkë me postin e kreut të qeverisë, ajo hoqi dorë edhe nga ai i kryetares së partisë. Gara për pasuesin ose pasuesen e saj do të mbahet brenda javës së ardhshme, çka do të thotë se brenda tetorit, Britania do të ketë kryeministrin e tretë për këtë vit.

Zhvillimet dramatike erdhën disa ditë pasi zonja Truss shkarkoi shefin e saj të Thesarit, Kwasi Kwarteng, të premten pasi paketa ekonomike që dyshja paraqiti më 23 shtator, tronditi tregjet financiare dhe shkaktoi një krizë ekonomike dhe politike.

45 miliardë paund (50 miliardë dollarë) të planit të pafinancuar të shkurtimit të taksave shkaktuan trazira në tregjet financiare, duke dëmtuar vlerën e paundit dhe duke rritur koston e huamarrjes së qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Banka e Anglisë u detyrua të ndërhynte për të parandaluar përhapjen e krizës në ekonominë e gjerë dhe vënien në rrezik të fondeve të pensioneve.

Të hënën, zëvendësuesi i zotit Kwarteng, shefi i Thesarit, Jeremy Hunt, hoqi pothuajse të gjitha shkurtimet e taksave të propozuara nga kryeministrja Truss, së bashku me politikën e saj kryesore të energjisë dhe premtimin e saj për të mos shkurtuar shpenzimet publike. Ai tha se qeverisë do t’i duhet të kursejë miliarda paund dhe se ka “shumë vendime të vështira” për t’u marrë përpara se të përcaktohet një plan fiskal afatmesëm më 31 tetor.