Florind Shabani, 40 vjeç është ekstraduar nga Gjermania si i përfshirë në një vrasje që ka ndodhur në vitin 2009 në qytetin e Elbasanit.

Shabani në datën 22 Korrik të atij viti, në lagjen “Vullnetari”, në bashkëpunim me persona të tjerë dyshohet se ka vrarë me armë zjarri Roland Rexhepin.

Për këtë arsye Gjykata e Elbasanit, i ka caktuar në Shtator të vitit 2021 Shabanit masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Roland Rexhepi njihej me pseudonimin “Doda” në Elbasan. Ai ka qenë ish-agjent i antidrogës dhe ish-shofer i drejtuesit të Policisë së Elbasanit, Edmond Koseni.

Roland Rexhepi, është kunati i motrës së Dritan Shemes, 32-vjeçarit që u vra më 19 Tetor të 2006-ës në lagjen Don Bosko në Tiranë.

Rexhepi u dyshua se kishte tentuar që të prishte vendngjarjen në vrasjen e Sokol Çapjes dhe kishte ndihmuar autorët të largoheshin nga Elbasani. Kujtojmë që kjo ngjarje ka ndodhur më 26 Dhjetor të vitit 2005.

Po ashtu, “Doda” dyshohej se ishte informator i kapjes së armëve në Fier në Gusht të vitit 2006.

Dy vite më vonë atij iu vra vëllai, Ilir Rexhepi. Ky i fundit nuk mundi t’i mbijetonte plagëve pavarësisht se iu kundërpërgjigj autorit të cilin e plagosi.