Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar në “E Diell” ku ka rrëfyer historinë e gjyshit të tij, të cilin e nxori babai nga shtëpia se kishte blerë makinë në Itali, por në këtë mënyrë ia doli të bëhej shoferi i Mbretit Zog.

Fillimisht u bë shoferi i kryetarit të Bashkisë, por më pas u bë i Ahmet Zogut pasi ishte i pranishëm në një festë të tij.

Edi Rama: Gjyshi im ishte djali i një babai që ishte drejtori i doganës së Durrësit dhe njëkohësisht i lidhur me lëvizjen patriotike për hapjen e shkollave shqipe. Kur gjyshi im u bë në moshën për të kryer studimet e larta, ai ëndërronte që ishte pasardhësi që t’ia linte stafetën në këtë rrugë patriotike.

Unë gjyshin e kam njohur, por kam qenë i vogël, por gjyshja tregonte se kur erdhi Viti i Ri, të gjithë dolën në portin e Durrësit për ta pritur. Kur zbriti me një veturë, i ati e kuptoi që të gjithë paratë i kishte bërë rrush e kumbulla. I ati e qëllon me shpullë dhe i thotë, kjo është familja jote dhe kurrë më nuk të jap lekë që të shkosh në Itali. Ai mbeti në Durrës dhe ishte nga të pakët që posedonte makinë private.

Më pas e thërriti kryebashkiake dhe i tha ose do bëhesh shoferi im me veturën tënde ose të zhdukesh. Ai ishte i çmendur pas veturave. Me kënaqësi u bën shoferi i tij dhe kujdesej për të gjitha makinat e shërbimit të bashkisë. Vjen festa kombëtare, naltmadhnia bëri festën e madhe në pallatin e tij dhe priste të gjithë.

Kur vjen kryetari i bashkisë me veturën, shkon përulet dhe naltmadhnia i thotë, s’ke turp, kështu i harxhon lekët e taksapaguesve. I thotë nuk është vetura ime, është e shoferit tim. Më pas naltmadhnia i thotë do bëhesh shoferi im me veturën tënde dhe kështu u bë shoferi i Ahmet Zogut.

Rama zbulon historinë e gjyshes me shoferin e mbretit Zog dhe emrin e pagëzimit që i dha

Kryeministri Edi Rama ka zbuluar në ‘E diell’ historinë e gjyshes së tij dhe njohjen me shoferin e mbretit Ahmet Zogu.

Ai zbuloi se si gjyshja e tij ra dakord që gjyshi ta rrëmbente dhe qëndruan për 6 muaj në hotel derisa mori përgjigje nga Papa i Romës që të martohej me një ortodoks sepse ishte katolike.

Ajo bëri të pamundurën që të gjithë fëmijët të jenë katolikë dhe ndonëse gjyshi donte t’i merrte hak duke pagëzuar Edi Ramën në ortodoks, por ajo e pagëzoi gjatë natës me emrin Paulin. Ky emër është i xhaxhit të kryeministrit. Gjyshja zgjodhi pikërisht atë sepse kishte ndërruar jetë në moshë të re.

Rama: Në një nga udhëtimet në një event në katedralen e Shkodrës, ishte shofer dhe si të gjithë rrinin jashtë. Gjyshja ime në këtë familje, familja e kumbarit ishte shumë katolike, praktikante dhe gjyshja shkonte rregullisht në kishë dhe duke hyrë gjithë besimtarët në katedrale, shoferi i naltmadhnisë që ishte i dhënë pas veturave, por jo aq indiferent pas vajzave të bukura, i nguli sytë dhe që atë moment iu qep duke i bërë serenata. Një ditë të bukur i thotë të martohet. Kjo i thotë familjes, familja i thotë në asnjë mënyrë dhe bëjnë një rrëmbim konsensual. Me veturë e rrëmbeu nga Shkodra dhe e çoi në Durrës.

Kur arriti në Durrës në darkë, gjyshja i thotë ku po shkojmë ne, tek shtëpia i tha. Në asnjë mënyrë i thotë ajo, pa u martuar nuk futem në shtëpinë tënde. Ku do shkojmë? Në hotel. Gjyshja ishte e vendosur që duhet të martoheshin në kishë. Kisha nuk pranonte se ai ishte ortodoks dhe gjyshja i shkruan letër Papës së Romës ku i thotë se unë jam i dashuruar me këtë njeri, vjen nga një familje ortodokse, por nëse ju më jepni lejen që të martohem, betohem para Zotit që fëmijët e mi të jenë të gjithë katolikë.

Dhe e ka mbajtur në hotel 6 muaj në Durrës. Vjen përgjigja nga selia e shenjtë dhe martohen në Kishën Katolike, babai im, xhaxhai, halla bëhen të gjithë katolikë dhe kur lind unë, ky më merr dhe më pagëzon ortodoks pa i thënë prindërve. Kthehet në shtëpi i thotë gjyshes e mora hakun, por nipi është ortodoks. Gjyshja e sheh duke qeshur dhe i thotë s’ke për ta kuptuar asnjëherë përse ne katolikët gjithmonë i arrijmë qëllimet tona sepse zgjohemi më herët se ju. Ky është pagëzuar katolik kur ti po flije gjumë. Ajo më kishte pagëzuar natën me një prift dhe unë emrin e pagëzimit e kam Paulin që është emri i xhaxhait, i cili vdiq shumë i ri nga një aneurizëm e zemrës. 

Edi Rama ka zbuluar marrëdhënien me prindërit e tij

Teksa rrëfente në “E diell” lidhjen e ngushtë me gjyshen, tregoi se babai nuk donte të dilte me të kur ishte i vogël se i kishte këmbët e shtrembra. Ndërsa për fotografitë bardh e zi të familjes, thotë se realizoheshin nga Kristaqi që kishte një aparat fotografik.

“Im atë e kishte problem të dilte me mua kur isha i vogël se i kisha këmbët shumë të shtrembra. E kishte problem që çfarë është ky çun i jonë, nga ngjau por këmbët u drejtuan me kalimin e kohës. Unë kam lindur tek rruga Muhamet Gjollesha.

Im atë kishte një aparat fotografik që e kishte marrë që kur ishte student në Bashkimin Sovjetik dhe kishte një laborator të vogël në studion e vet dhe ai i bënte këto fotografi. Ishte kronikani i familjes sonë dhe kjo është një fotografi e bërë nga im atë. Hera herës fotografonte jetën familjare”, tregoi Rama.

Ndërsa për studimet në lice, tregon se babai e lejoi se ishte shumë këmbëngulës, por zbulon se në familje kishte fuqi autoritare Aneta më shumë se Kristaqi.

“Unë kam bërë namin për të shkuar në lice dhe në fund fare, ai ra dakord se e pa që unë isha shumë këmbëngulës dhe doja të shkoja pikërisht aty. Ka qenë figurë e rëndësishme për mua sepse ishte një hapësire lirie, ndërkohë që ime më ishte shumë më tepër autoritare. Fuqi autoritare në shtëpinë tonë ishte Aneta, jo Kristaqi”, rrëfen Rama.