Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shfrytëzoi të enjten raportin e European Chamber për të kritikuar qeverinë dhe për të promovuar më tej propozimin e opozitës për taksë të sheshtë në ekonomi.

Përmes një postimi në Twitter, Basha tha se me qeverinë Rama “Shqipëria u bë ndër vendet më të korruptuara, me taksat më të larta në rajon” dhe “më pak tërheqëse për investimet”.

“Vendit sot i duhet një model i ri ekonomik, me taksa të ulëta, mbështetje për sipërmarrjen, stimulim për investimet dhe bizneset që hapin vende pune. Me planin tonë ne do të kemi taksën e sheshtë 9%, do të luftojmë konkurrencën e pandershme dhe korrupsionin, do ti japim frymëmarrje ekonomisë për të sjellë investime, mundësi punësimi me të ardhura dinjitoze dhe jetë më të mirë për të gjithë shqiptarët,” – shkroi Basha në Twitter.Harta e EuCham për klimën e të bërit biznes në Evropë.

Prej së paku 5 muajsh opozita ka paraqitur një pjesë të programit të saj ekonomik, ku në qendër ka vendosur taksimin e sheshtë 9 për qind. Ky lloj taksimi ka hasur kritika nga ana e shumicës socialiste, e cila e ka cilësuar atë të dëmshme për familjet me të ardhura mesatare, mirëpo nga ana e opozitës këmbëngulet për të kundërtën.

Komenti i Bashës vjen një ditë pasi qeveria, përmes ministres së Financave Anila Denaj ripërcaktoi pritshmëritë e rritjes ekonomike për vitin e ardhshëm nga 12 për qind sikurse e parashikonte Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në 5 për qind.

European Chamber, ose siç njihet ndryshe EuCham është një organizatë e pavarur, joqeveritare, e cila vlerëson të bërit biznes në Evropë.

Në raportin e fundit për vitin 2020, EuCham ka vlerësuar 46 vende nga Evropa, në të cilin Shqipëria renditet ndër tre vendet e fundit bashkë me Bosnje e Hercegovinën dhe Ukrainën.Renditja e të bërit biznes të vendeve të Evropës sipas EuCham.

Vlen të thuhet se sipas EuCham klimë më të mirë për të bërë biznes se sa Shqipëria (51 pikë) ka Kosova (55 pikë), Serbia (57 pikë), Maqedonia e Veriut (58 pikë) dhe shumë më shumë edhe Mali i Zi (59 pikë). Vlerësimi i EuCham bazohet në të dhënat e Bankës Botërore dhe indekseve ekonomike të Transparency International.

Në vitin 2019 Shqipëria vlerësohej nga EuCham me 52.76 pikë. Vlerësim në ulje është vërejtur edhe nga raportet e shkuara të Bankës Botërore (67.7 pikë nga 69.5 që vlerësohej një vit më parë) dhe nga indeksi i Transparency International (35 pikë nga 36 që vlerësohej një vit më parë).