Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë z. Arben Shehu ka uruar znj. Vlora Spanca me rastin e marrjes së detyrës së Auditores së Përgjithshme të Republikës së Kosovës,

Në letrën e urimit dërguar homologes së tij, Kryetari i KLSH-së ka shprehur përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve në zbatimin e objektivave të përbashkëta që kanë të bëjnë me qeverisjen e mirë të financave publike dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kontrollit të shpenzimeve të fondeve publike.

“Shpreh gatishmërinë time për intensifikimin dhe rritjen cilësore të bashkëpunimit midis dy institucioneve tona në fushat me interes të përbashkët edhe në të ardhmen. Duke ju uruar suksese të mëtejshme ju përcjell urimet më të mira” – është theksuar në letrën e urimit të Kryetarit Shehu.

Po ashtu, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë, z. Arben Shehu ka bërë me dije se është i gatshëm për realizimin e një takimi me Auditoren e Përgjithshme Vlora Spanca për të diskutuar në terma konkretë për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit midis dy institucioneve.

KLSH dhe ZKA kanë marrëveshje dypalëshe të bashkëpunimit që nga viti 2012. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje janë mbajtur trajnime duke shkëmbyer pikëpamjet, metodat dhe përvojat e punës me qëllim të përmirësimit dhe ngritjes së mëtejme të kapaciteteve profesionale në fusha të ndryshme të auditimit.