Kampionati europian i futbollit, “Euro 2020” do të jetë kampionati më i kushtueshëm i historisë së futbollit. Në këtë edicion skuadrat pjesëmarrëse do të ndajnë mes tyre plot 331 milionë euro, pra 30 milionë më shumë se në Europianin e “Francë 2016”.

Fillimisht u diskutua për një buxhet prej 371 milionë eurosh, por pandemia ndikoi tek organizatorët, të cilët u detyruan të bënin shkurtime nga buxhetin fillestar.

30 milionë euro për fituesin

Fituesi i këtij kompeticioni do të përfitojë 30 milionë euro, ndërkohë që për çdo skuadër pjesëmarrëse UEFA ka përcaktuar një çek prej 9.5 milion eurosh. Por nuk mbaron me kaq.

Një fitore në fazën e grupeve vlen 1 milion euro, ndërsa barazimi vlen 500 mijë euro. Kualifikimi për në fazën me eliminim direkt garanton 1.5 milionë euro, ndërsa kualifikimi në fazën çerekfinale vlen 2.5 milionë euro. UEFA ka vendosur për skuadrat që shkojnë në gjysmëfinale, secila të përfitojë nga 4 milionë euro. Për finalistet janë përcaktuar nga 5 milionë euro.

Shifrat e përcaktuara janë të rëndësishme, por marrëveshjen e vërtetë do të bëjë UEFA. Kapitali i përgjithshëm që do të lëvrohet për këtë kompeticion kap shifrën e 2 miliardë euro, në mënyrë që përfitimet të arrijnë shifrën e 850 milionë euro.

Para të çmuara për futbollin europian, i cili ka marrë një goditje të fortë në bilancet e përgjithshme për shkak të pandemisë.

Ceferin: Nuk e mbështes formatin e ri

“Ne jemi të lumtur. Është një mesazh shprese, drita në fund të tunelit. Futbolli sjell shpresë te njerëzit dhe kjo është e rëndësishme për ne”.

Kështu u shpreh Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, për mikrofonin e Rai Sport në prag të ndeshjes së parë të Euro 2020 mes Turqisë dhe Italisë, e cila do të zhvillohet mbrëmjen e sotme në Olimpico të Romës.

Më tej, Ceferin u shpreh se është kundër formatit të këtij Kampionati, i cili për herë të parë do të zhvillohet në disa shtete europiane. “Nuk e mbështes këtë format dhe nuk mendoj se do ta bëjmë përsëri këtë”, tha Ceferin.