El Mundo raporton se policia katalanase beson se ka prova të mjaftueshme për të akuzuar presidentin e Barcelonës Josep Maria Bartomeu për korrupsion. Akuzat lidhen me çështjen e cila është bërë e njohur si ‘Barçagate’ dhe pretendimet se presidenti  i klubit ka përfituar financiarisht nga marrëveshjet e bëra në emër të klubit.

Bartomeu is being investigated due to the BarçaGate incident, where Barcelona hired a company to attack political opponents and its own players.

— Rafael Hernández (@RafaelH117) September 3, 2020

Historia e ‘Barçagate’ doli në skenë këtë vit dhe ka të bëjë me dokumentet e raportuara që thuhej se tregonin punën e brendshme dhe transaksionet financiare të klubit, të cilat shkaktuan furtunë në mediat spanjolle. Radio “Cadena Ser” ka denoncuar lidhjen mes Barcelonës dhe kompanisë “I3 Ventures”. Sipas saj, klubi spanjoll i ka paguar 1 milionë euro me 6 këste kësaj kompanie për të krijuar dhe administruar profile në rrjetet sociale për të diskretituar dhe hedhur baltë mbi Mesin dhe bashkëshorten e tij Antonela, Pikenë, Ksavin, Guardiolën dhe presidentin e “Mediapro Roures”, ish-presidentin katalanas Puigdemont.

Klubi i Barcelonës është mbrojtur me një komunikatë, ku saktëson se ka një bashkëpunim me “I3 Ventures”, por vetëm për të monitoruar fluksin e mesazheve në rrjetin e klubit dhe se nuk kishte asnjë pikë në kontratë për profilet e cituara nga “Cadena Ser”. Por tani mendohet se Bartomeu ka paguar një vlerë gjashtë herë më të lartë se vlera e tregut dhe arsyeja e këtij vendimi po hetohet nga autoritetet. Nuk dihet ende se cilat do të jenë pasojat e mundshme të këtyre akuzave për Bartomeu, por është një tjetër incident dramatik në një verë dramatike për Barcelonën.