Rreth 11 orë pas ndalimit nga policia, është firmosur edhe urdhër-arresti, për kandidatin e “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri.

Sipas autoriteteve arrestimi në flagrancë i Belerit, është kryer nën akuzën për “Korrupsion aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”.

Në dokument, sqarohet se Beleri është kapur në flagrancë me persona të tjerë, duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës.

Në procesverbalin e arrestit bëhet me dije se urdhri është firmosur dhe nga vetë Beleri, ndërsa sqarohet konkretisht se “Ky shtetas është kapur në flagrancë në Himarë me datë 12.05.2023 ora 00:14 minuta, në bashkëpunim me persona të tjerë, duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qellim blerjen e votës.
Të arrestuarit në flagrancë iu bë e ditur se në bazë të nenit 255 ka të drejtë të ketë mbrojtës, se nuk ka detyrim të bëjë deklarata dhe në qoftë se do të flasë, çfardo që ai thotë mund të përdoret nga gjykata. Mbrojtja të bëhet nga një avokat i zgjedhur prej tij, konkretisht në prani të avokat ndaj tij në gjykim…”.

Beleri është dënuar dhe më parë me 3 vite heqje lirie për nxitje dhe urrejtje nacionale në vitin 2003.