Arnold dhe Artan Balla janë dy vëllezërit shqiptarë që po mahnisin SHBA-në dhe jo vetëm. Ata morën pjesë në talent show-n e njohur në të gjithë botën “America’s Got Talent” dhe falë një performance të jashtëzakonshme morën duartrokitjet e publikut të gjerë dhe tre “PO” nga juria. Juri e cila përbëhet nga emra të njohur si Simon Cowell, Heidi Klum dhe Sofia Vergara.

Vëllezërit Balla kanë dhënë një intervistë për Tvklan.al. Dy djemtë ndodhen aktualisht në SHBA. Arnoldi është 26 vjeç. Ai ka mbaruar shkollën për arkitekturë dhe për momentin punon si “Interior Design”. Ndërsa Artani është 20 vjeç dhe vijon studimet për drejtësi. Djemtë rrëfyen që nga momenti i aplikimit, ndjesitë në skenë, takimin me Terry Crews e deri tek akti që kanë përgatitur për fazën tjetër.

Kur vendosët që të shkonit në America’s Got Talent? Si aplikuat?

Artan Balla: Kemi marrë ftesë që në vitin 2019, por për shkak të pandemisë na u desh ta shtynim për një moment tjetër. Stafi mendoi që ta shtynim në një moment tjetër dhe viti 2022 ishte viti fiks për ne.

Cilat janë përshtypjet tuaja? Si u ndjetë?

Artan Balla: Emocionet ishin shumë të mëdha, diçka që nuk përshkruhej dot. Edhe kur ishim në skenë mezi i kemi fshehur të gjitha ato emocione sepse është një skenë botërore. Por ne ia dolëm t’i fshihnim ato emocione dhe të performonim sa më mirë. Të ishe pjesë e America’s Got Talent të bën fiks të ndjehesh një artist i vlerësuar.

Na tregoni disa nga prapaskenat në America’s Got Talent (AGT)?

Artan Balla: Përveçse bëmë audicionin tonë, na përzgjodhën edhe për intro-n e America’s Got Talent. Na i kanë mbuluar shpenzimet për 3 ditë me radhë.

A u takuat me anëtarët e jurisë apo me prezantuesin Terry Crews?

Artan Balla: Po, me Terry Crews u takuam sepse ne bëmë edhe spotin publicitar me Terry-n. Ishte një person shumë i dashur! Jashtë ekranit dhe brenda ekranit ishte po i njëjti motivues dhe u ndjemë shumë mirë pranë tij. Nuk takuam asnjë anëtar tjetër të jurisë. Për herë të parë i kemi parë kur bëmë audicionin tonë të AGT!

Cilat ishin përshtypjet e konkurrentëve të tjerë për ju?

Artan Balla: Konkurrentët e tjerë u ndjenë shumë mirë me ne. E panë që ishim të talentuar sepse ne që në momentin e fundit nuk kemi pushuar së punuari dhe ata ishin me të vërtetë krenarë të njihnin shqiptarët sepse nuk kishin dëgjuar ndonjëherë më përpara për Shqipërinë. Kishin shumë pyetje për Shqipërinë, çfarë vendi është, a ka siguri etj.

Çfarë presim në fazën tjetër? Çfarë aktesh keni përgatitur?

Artan Balla: Për fazën tjetër mund të themi vetëm që do të kemi një akt me thika dhe zjarr dhe asgjë më tepër. Gjithçka do të jetë surprizë!