Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim zbuloi në emisionin “Real Story” në Neës24 se Shqipëria do të jetë organizatore e një stërvitjeje të madhe të NATO-së ku do të marrin pjesë 26 shtete.

“Për mbrojtjen, këtë vit do të kemi diçka me shumë rëndësi dhe jam e kënaqur t’ju flas pak më shumë për të. Është hera e parë që e përmend në publik, por do të kemi atë që e quajmë stërvitjen ushtarake Defender 21. Do të jetë një stërvitje e drejtuar nga Ushtria e SHBA në Europë dhe do të përfshijë rreth 26 vende të ndryshme, 30 mijë trupa.

Do të jenë ndoshta 6 mijë trupa që do të kalojnë nëpër Shqipëri në maj dhe qershor dhe javën e ardhshme, Zv. Komandanti i Ushtrisë Amerikane për Europën dhe Afrikën do të jetë këtu për të informuar udhëheqësit e vendet dhe publikun se çfarë është kjo stërvitje. Pra, shumë domethënëse” – tha Kim.